“Ndihemi të sigurt”, trajneri i Izraelit vlerëson mikpritjen në Kosovë
Kombëtarja e Izraelit ka mbajtur konferencë për media para ndeshjes së nesërme ndaj Kosovës.
Kosova e pret Izraelin në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45.
Për ndeshjen e nesërme, selektori i Izraelit, Alon Hazan ka dalë në konferencë për media, ku përveç se foli rreth ndeshjes së nesërme, ai vlerësoi edhe mikpritjen që iu bë futbollistëve, stafit, trajnerëve nga ana e Qeverisë së Kosovës, ku theksoi se ndihen të sigurtë.
“Ne jemi këtu, kështu që ndihemi të sigurt. Ne vlerësojmë gjithçka që na ka dhënë qeveria këtu në Kosovë në aspektin e mikpritjes. Mendoj se jemi futbollistë dhe kur vijmë të luajmë futboll, na intereson vetëm sporti. Jemi të zënë dhe fokusohemi vetëm te futbolli”.
Kombëtarja e Izraelit ishte nën masa të rrepta të sigurisë nga Policia e Kosovës gjatë arritjes në Prishtinë, e po ashtu edhe në konferencë për media.
Ndërkohë, kujtojmë se Kosova është në grupin I dhe qëndron në vendin e katërt me shtatë pikë, ndërsa Izraeli renditet në një pozitë më lartë me 11 sosh. /Zëri