FSHF-ja shpreh ngushëllime familjes, klubit e gjithë komunitetit shqiptar për vdekjen e lojtarit të Egnatias
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka reaguar pas vdekjes së sulmuesit të Egnatias, Raphael Dwamena, shkruan Zëri.info.
Futbollisti i Egnatias, Raphael Dwamena vdiç sot (e shtunë) pasi nuk ka arritur t’i mbijetoj një sulmi në zemër gjatë ndeshjes me Partizanin.
Ganezi ra pa ndjenja në minutën e 23-të të ndeshjes mes Egnatia dhe Partizanit.
Pas rrëzimit të tij në fushë, ekipi mjekësor intervenoi menjëherë, ku pas ndihmës së parë, lojtari u dërgua me urgjencë në spital.
Megjithatë, sulmuesi ganez nuk ka arritur t’i mbijetojë sulmit në zemër dhe ka ndërruar jetë në moshën 28-vjeçare.
Kjo është një humbje për futbollin shqiptar, pasi Dwamena ishte njëri nga lojtarët më të mirë që ka luajtur ndonjëherë në Superligën e Shqipërisë.
Pas vdekjes, ka reaguar edhe FSHF-ja e cila është e tronditur me tragjedinë, teksa u shpreh ngushëllime të gjithë familjarëve, klubit të lojtarit, shokëve dhe gjithë komunitetit të futbollit shqiptar.
FSHF-ja shton se të gjitha ndeshjet e fundjavës do të shtyhen deri në një momentë të dytë. /Zëri
Reagimi i FSHF-së (pa ndërhyrje):
Federata Shqiptare e Futbollit shpreh tronditjen e thellë për tragjedinë e ndodhur sot gjatë ndeshjes së javës së 13-të të “Abissnet Superiore”, Egnatia-Partizani.
Futbollisti Raphael Dwamena ka humbur ndjenjat gjatë ndeshjes dhe pas ndërhyrjes së parë të mjekëve në fushën e lojës është transportuar me ambulancë për në spital.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve specialistë dhe të gjitha përpjekjeve të mëpasshme për ta rikthyer në jetë, futbollisti për fat të keq ka ndërruar jetë.
FSHF i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Dwamena dhe klubit të Egnatias për këtë humbje të madhe dhe ngjarje që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar.
Federata e Futbollit bën me dije se të gjitha ndeshjet e programuara për këtë fundjavë në të gjitha kampionatet e futbollit në Shqipëri do të shtyhen në një moment të dytë.