FBK-ja i bashkohet kampanjës “Race for the Cure”

FBK-ja i bashkohet kampanjës “Race for the Cure”

Sport October 01, 2023 - 17:35

Të dielën u organizua gara “Race for the Cure”, me qëllim të ndërgjegjësimit të qytetarëve kundër sëmundjes së kancerit të gjirit. 

Gara u organizua më 1 Tetor, pikërisht në muajin e Ndërgjegjësimit ndaj Kancerit të Gjirit. 

Këtë aktivitet, por edhe fushatë e ka mbështetur edhe Federata e Basketbollit e Kosovës. 

Nënkryetarja e FBK-së, Linda Shala, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, Menaxherja e Eventeve dhe Basketbollit 3x3, Artina Hasani dhe Personi për Integritet në FBK, Vlora Braha, kanë qenë të pranishme në Prishtinë, ku u mbajt ky event dhe njëkohësisht kanë bërë thirrje për kryerjen e mamografisë, në mënyrë që të parandalohet dhe zbulohet më herët sëmundja e kancerit të gjirit.

Një fushatë ishte zhvilluar edhe në finalen e Superkupës së Meshkujve, ku lojtarët kishin bartur bluza për ndërgjegjësim dhe Dushku kishte shpërndarë medalje për udhëheqëset e organizatës joqeveritare “Renesansa”.

“Race for the Cure” është fushatë që organizohet në 140 vende të ndryshme të botës, që ka për qëllim ndërgjegjësimin ndaj kësaj sëmundje të rëndë.

Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën. /Zeri.info