Doktor Bujar Shabani zgjidhet nga IOC si ortoped për Lojërat Olimpike “Paris 2024”
Bujar Shabani do të jetë pjesëmarrës i Lojërave Olimpike “Paris 2024”, mirëpo jo si sportist.
Ai do t’i shërbejë sportistëve nga gjithë bota në spitalin olimpik.
Ortopedi kosovar, i cili punon edhe në QKUK, është përzgjedhur nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik (IOC) për të shërbyer gjatë Lojërave Olimpike.
Kjo do të jetë hera e parë që një ortoped shqiptar do t’u dalë në ndihmë sportistëve në Lojëra Olimpike.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Shabani theksoi se kjo është një ndër ëndrrat e tij që po bëhet realitet.
Ai gjithashtu vlerësoi se kjo është nder dhe përgjegjësi e veçantë për të.
Postimi i plotë nga Shabani (pa ndërhyrje):
Javën e kaluar mora një lajm që bëri një ndër ënderrat e mija realitet. Kuptova se Komiteti Nderkombëtar Olimpik mes shumë aplikimeve nga e tërë bota, më ka përzgjedhur si mjek- ortoped të shërbej gjatë Lojërave Olimpke – Paris 2024. Duke qenë se jam ortopedi i parë shqipëtar që do t’iu shërbej atleteve elitar botëror në Spitalin Olimpik, përveq se ndere do të jetë edhe përgjegjësi e veçantë”.