Më shumë se 5 muaj nga arrestimi i Agim Ademit, rasti ende nën hetime për keqpërdorim të buxhetit të FFK-së

Më shumë se 5 muaj nga arrestimi i Agim Ademit, rasti ende nën hetime për keqpërdorim të buxhetit të FFK-së

Sport September 17, 2023 - 16:01

Kanë kaluar më shumë se 5 muaj prej kur kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ishte arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të buxhetit të FFK-së, ndërsa rasti është ende nën hetime.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Rastin për të cilin keni pyetur, është ende nën hetime”, thuhet në përgjigjen e Ulajt.

Ademi dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i besimit” nga neni 330, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës si dhe veprën penale “Shmangie nga tatimi “nga neni 307, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë rast, më 14 prill 2023, Gjykata Themelore Prishtinë, kishte marrë aktvendim për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak, dhe Ademi ishte liruar nga kjo masë.

Ndryshe, më 23 mars 2023,  Gjykata Themelore në Prishtinë kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj Ademit, i dyshuar për “Keqpërdorim të besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Kurse, Gjykata e Apelit e kishte refuzuar kërkesën e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademit për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak, masë kjo e cila i ishte caktuar në kohëzgjatje prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Në raportin 24 orësh të Policisë, më 23 mars, thuhej se Ademi dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpëdorim i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”, duke keqpërdorur buxhetin e FFK-së.

Më 22 mars, Prokuroria Themelore në Prishtinë,  kishte njoftuar se Ademi është ndaluar për 48 orë,  nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas ndërmarrjes se veprimeve paraprake hetimore, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së. I njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhu me këtë çështje penale”, thuhej në njoftim.

Kurse, një ditë më parë, Policia e Kosovës njoftoi se është intervistuar në stacion policor një zyrtar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ndërsa kreut të kësaj të fundit, Agim Ademi, i ishte lënë ftesë për t’u intervistuar të mërkurën (sot).

Kujtojmë se më 15 mars 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Agim Ademit dhe Muharrem Ramës, lidhur me akuzën për detyrim në bashkëkryerje. /BetimipërDrejtësi