“Dardanët” u kundërpërgjigjen huliganëve rumunë, tregojnë arsyen e mungesës në Bukuresht

“Dardanët” u kundërpërgjigjen huliganëve rumunë, tregojnë arsyen e mungesës në Bukuresht

Sport September 15, 2023 - 12:47
Lajmet e fundit nga Sporti

Tifogrupi i Përfaqësueses së Kosovës “Dardanët” i janë kundërpërgjigjur tifogrupit rumun, të cilët me anë të një mesazhi pyetën se pse ata nuk udhëtuan në Bukuresht për ndeshjen Rumani – Kosovë.

I pari i tifozerisë kosovare, Lulzim Berisha, me anë të një postimi në Facebook ka treguar arsyen pse “Dardanët” nuk udhëtuan në Bukuresht. Mes të tjerash, Berisha ka publikuar një fotografi ku shihet rekuizita e tifogrupit famëkeq rumun dhe disa stiker të kthyer mbrapsht. Për këto “trofe” të kapur ai ka shkruar se nuk kanë dashur t’i publikojnë në mënyrë që të mos dëmtohet imazhi i Kosovës.

Reagimi i plotë i Berishës:

Dardanët janë në shërbim të interesit shtetëror. Disa akte me qëllim kemi dashur që të mos i publikojmë, në mënyrë që të mos dëmtohet imazhi i vendit tonë e as të mos paraqitet ndonjë rrezik për çfarëdo gjobe nga instancat ndërkombëtare për organizimin e ndeshjeve.

Meqenëse në adresë tonë nga një tifozëri fëmijësh dhe me orientim filoserb paskan ardhur shigjetime publike, ne atyre ua bëjmë me dije se në tribuna dhe jashtë tribunave nuk ua kemi frikën askujt. Kur është në pyetje të vihet në praktikë diçka e tillë e bëjmë pa u krekosur në medie. Nëse provokohemi, kundërpërgjigjemi në mënyrën tonë siç dëshmon fotografia që po publikojmë më poshtë. Ky nuk është një terren të cilin nuk e njohim. Bile e njohim edhe mirë, por luftojmë me të gjithë forcat që t’iu shmangemi deri kur na u imponohet.

Në vendin tonë rregullat i bëjmë vetë, në heshtje, gjithmonë në përpjekje për ta ruajtur edhe Kombëtaren e Kosovës, të cilën e duam shumë. Atyre u dërgojmë selam se shihemi në ndeshjet tjera, kur problemet burokratike nuk na bëhen pengesë e udhëtimeve.