Aro Muriq: Gjithmonë kënaqësi të luash për Kosovën, do t’jua shpaguajmë besimin

Aro Muriq: Gjithmonë kënaqësi të luash për Kosovën, do t’jua shpaguajmë besimin

Sport September 14, 2023 - 12:30

Portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muriq, ka reaguar me anë të postimi në rrjetet sociale, pas kritikave të shumta të ekipit pas humbjes së Kosovës nga Rumania.

Kosova u mposht 2-0 nga Rumania në “Arena Nationale” në kuadër të Grupit I për eliminatoret e Euro 2024.

Megjithatë, pati shumë tensione dhe ndërprerje për gati një orë shkaku i pllakatit të shfaqur nga tifozët rumunë, ku shkruante “Kosova është Serbi”.

Përveç kësaj, lojtarët e Kosovës u kritikuan shumë pas humbjes, por portieri Muriq, i cili ishte nga të paktët që u lëvdua, ka reaguar në profilin privat në Instagram, duke thënë se është gjithmonë kënaqësi të luash për Kosovën.

Ai shtoi se ekipi mëson vazhdimisht dhe do të rikthehet edhe më i fortë, për t’ua shpaguar të gjithëve besimin.

“Gjithmonë kënaqësi për të luajtur për këtë vend, Faleminderit për mbështetjen, të gjithë ishit të mrekullueshëm”, shkroi fillimisht Muriqi në profilin e tij.

“Ne përqendrohemi te futbolli, edhe nëse është i vështirë në rrethana si dje. Ecja përpara, gjithçka në të cilën mund të fokusohemi është të edukojmë brezin e ardhshëm dhe t’i lëmë paraqitjet tona në fushë të kapërcejnë çdo pengesë.

Jemi një skuadër e re e shkëlqyer, vazhdimisht mësojmë dhe besoj se do të rikthehemi më të fortë me më shumë zjarr dhe do të luftojmë për t’ua shpaguar të gjithë atyre që kanë besuar te ne”, përfundon shkrimin e tij portieri i Kosovës. /telegrafi