Mbrëmë kërkoi ndryshime të brendshme, Zhegrova i bie “pishman” dhe mundohet të sqarohet

Mbrëmë kërkoi ndryshime të brendshme, Zhegrova i bie “pishman” dhe mundohet të sqarohet

Sport September 13, 2023 - 08:20

Edon Zhegrova ka shpërthyer pas ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës me deklaratat e tij.

Pasi në fushë nuk bëri thuajse asgjë, duke u treguar egoist në një rast të artë që pati në pjesën e parë dhe duke mos dhënë kontribut fare në mbrojtje, ai zgjodhi që në deklaratën pas ndeshjes t’i sulmojë të gjithë.

Sulmuesi anësor filloi të flasë për ndryshime të brendshme, por pastaj la shumë pikëpyetje, duke thënë se duhet të flasë kapiten Amir Rrahmani ose zyrtarët e lartë të FFK-së.

Por vetëm tri orë pasi dha atë deklaratë publike, Zhegrova është munduar të sqarohet nëpërmjet një storje të publikuar në profilin e tij në Instagram.

“Duke pas parasysh se është folur shumë gjatë orëve të kaluara, dua të sqaroj gjithë opinionin në lidhje me një deklaratë të mbrëmshme pas lojës. Qëllimi dhe mendimi im i vetëm ka të bëjë me qasjen në lojë dhe formën se si luajmë e jo me ndryshime të tjera. Pavarësisht interpretimeve që mund t’u bëhen fjalëve të mia. Unë nuk kam folur dhe nuk kam aluduar për asnjë moment për asnjë ndryshim tjetër, përveç ndryshimin brenda fushës së lojës, ndryshim për të cilin vazhdoj të mendoj se na duhet madje shumë”, shkroi Zhegrova.

Deklarata e 24-vjeçarit ishte e shumë e qartë menjëherë pas ndeshjes se duhen bërë ndryshime të brendshme.