Xhaka dhe Shaqiri shënojnë në fitoren e Zvicrës ndaj Andorrës

Xhaka dhe Shaqiri shënojnë në fitoren e Zvicrës ndaj Andorrës

Sport September 12, 2023 - 22:59

Pas dy barazimeve radhazi, ndaj Rumanisë dhe Kosovës, Zvicra është rikthyer te fitorja në kualifikimet për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Të përzgjedhurit e Murat Yakin triumfuan sonte ndaj Andorrës, për të bërë një tjetër hap drejt Euro 2024.

Ndeshja e zhvilluar në “Stade de Tourbillon” përfundoi me rezultatin 3:0.

Të kritikuarit për ndeshjen ndaj Kosovës, dyshja me prejardhje nga Kosova, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, heshtën kritikët sonte duke realizuar gola.

Xhaka, që është edhe kapiten, shënoi në minutën e 84-t, kurse Shaqiri në minutën e dytë shtesë (90+2’) nga penalltia.

Goli tjetër u shënua nga Cedric Itten, në minutën e 49-të.

Zvicra pas kësaj fitore ka 14 pikë dhe vazhdon kryesimin në Grupin I.

Andorra mbetet e fundit me vetëm dy pikë.