Katër futbollistë mbesin jashtë, nuk përfshihen në listën e Kosovës për ndeshjen ndaj Zvicrës

Katër futbollistë mbesin jashtë, nuk përfshihen në listën e Kosovës për ndeshjen ndaj Zvicrës

Sport September 09, 2023 - 15:02

Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë sonte ndeshjen ndaj Zvicrës, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim prej orës 20:45.

Në faqen e UEFA-s është publike lista me futbollistët që Primoz Gliha do t’i ketë në dispozicion për sonte.

https://www.uefa.com/european-qualifiers/match/2036401--kosovo-vs-switzerland/lineups/

Në këtë listë mungojnë Zymer Bytyqi, Kreshnik Hajrizi, Andi Hoti dhe Valon Zumberi, të cilët ishin të ftuar nga Gliha për ndeshjet e shtatorit; ndaj Zvicrës dhe Rumanisë. Lista e futbollistëve të ftuar ishte publikuar më 31 gusht.

Për asnjërin futbollistë nuk është dhënë ndonjë informacion zyrtar.

Sa i përket Hotit dhe Zumberit, ajo që dihet është se të dy luajtën të premten mbrëma për Kosovën U21, që pësoi humbje në udhëtim ndaj Polonisë U21 me rezultatin 3:0. Ndeshja ishte e vlefshme për kualifikimet e “Euro 2025”.

Të dytë ishin titullarë dhe e luajtën tërë ndeshjen. Zumberi mbajti shiritin e kapitenit.

Kujtojmë se sonte do të jetë përballja e parë zyrtare mes Kosovës dhe Zvicrës.

Kosova është e pesta dhe e parafundit në Grupin I me 3 pikë, aq sa ka edhe Bjellorusia një pozitë më lartë.

Në këtë grup prin Zvicra me 10 pikë, e ndjekur nga Rumania me 8 sosh. Izraeli është i treti me 7 pikë. Andorra është e fundit me vetëm 1 pikë.