Trajneri i Lirisë i lumtur me rikthimin në Superligë

Trajneri i Lirisë i lumtur me rikthimin në Superligë

Sport June 04, 2023 - 18:33

Liria është rikthyer në Albi Mall Superligën e Kosovës pas katër vitesh, pasi mposhti Ferizajn përmes penalltive, ndërsa koha e rregullt dhe vazhdimet nuk kishin gola.

Pas ndeshjes, trajneri i skuadrës nga Prizreni, Xhengis Rexhepi ka thënë se është tejet i lumtur që janë rikthyer në elitën e futbollit kosovar.

“Realisht ka sukses mbi sukses. Në Ligën e Parë është e lehtë të shpallesh kampion, por e rëndë është ta futësh një skuadër nga barazhi në Superligë”, ka thënë ai fillimisht për Art Sport.

“Ne me ndeshjen me Ulpianën dhe sot i treguam gjithë Kosovës se si duhet të përgatitet një skuadër ndaj një skuadre që është në Superligë. Disa analistë kanë pasur respekt e disa na kanë nënçmuar. Ne sot treguam se si mund të fitohet ndaj një skuadre të Superligës”.

“Kemi mundur ta fitojmë ndeshjen në lojë. I kemi bllokuar të gjitha gjërat e tyre ofensive. Disa lojtarë të mirë që i kanë pasur u kemi qëndruar afër dhe i kemi diskualifikuar ata lojtarë duke iu qëndruar afër. Më pas loja nisi të jetë nën kontrollin tonë. Jam tepër i lumtur”.

“Nuk dua të flas diçka më tepër se kur je i gëzuar mund të japësh deklarata të forta. Do të bëj një analizë të gjithë sezonit. Fitoren ua dedikoj tifozëve, pasi zëri i tyre nuk na ka lënë të dorëzohemi. Natyrisht edhe familjes time sepse ata kanë qëndruar afër meje. I dëshiroj çdo trajneri kosovar dhe të jashtëm suksese të tilla. Trajnerit të Ferizajt i thash qoftë e kaluar”.

“E takova pas ndeshjes. Ndeshjet e barazhit janë të tilla. Unë e dija se Ferizaj ashtu siç ka luajtur në Superligë, nuk do të luajë në barazh. Është një punë shumë e madhe dhe e palodhshme që kemi bërë me përkrahjen e gjithë drejtuesve të klubit”.

“I kemi ushtruar penalltitë. E kemi ditur se te penalltitë nuk do të gabojmë. Edhe kur e humbi penalltinë Astrit Berisha, e kemi ditur se të tjerët do të shënojnë. Kur doli Prince të gjithë kanë menduar se ndeshja do të marrë kahe tjetër. Këtu të gjithë duhet ta japin më të mirën. Jam i lumtur dhe i falënderoj të pranishmit që kanë parë lojë të mirë dhe spektakël. Ferizajt i dëshiroj suksese”, ka shtuar më tej Rexhepi. /Telegrafi