Organizohen takime me fokus-grupe të FBK-së në kuadër të projektit “Promise”

Organizohen takime me fokus-grupe të FBK-së në kuadër të projektit “Promise”

Sport June 02, 2023 - 11:31
Lajmet e fundit nga Sporti

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) po vazhdon me mjaft sukses implementimin e projektit “Promise”, ku së fundi në qendër të vëmendjes së këtij projekti kanë qenë fokus grupet, që për qëllim kanë pasur diskutimin e barrierave, problemeve dhe perceptimet e lojtareve femra, si dhe gjyqtareve, drejtueseve, trajnereve dhe gazetareve lidhur me barazinë gjinore.

Menaxherja e Projekteve në FBK, Edita Medunjani, ka zhvilluar takime me gjashtë (6) grupe të ndryshme, derisa diskutimet kanë qenë të mbyllura dhe do të mbetën anonime, si dhe do të përdorën për qëllime të hulumtimit nga universiteti “Ramon Llull” nga Barcelona, që është partner në projektin “Promise”.

Sipas Medunjanit, duke organizuar fokus grupet në kuadër të këtij projekti Federata e Basketbollit e Kosovës mund të përfitojë njohuri të vlefshme, të angazhojë grupet e interesit, të zhvillojë ndërhyrje të synuara, të avokojë për ndryshim dhe të monitorojë progresin, duke punuar përfundimisht drejt një mjedisi më të barabartë dhe gjithëpërfshirës për vajzat dhe gratë në basketboll, por edhe në sport në përgjithësi.

Fokus grupet kanë qenë të ndara në gjashtë profile: në lojtare aktive, përfaqësues të FBK-së, gazetarë sportivë, gjyqtarë, trajnere, si dhe menaxherët e FBK-së.

Duhet theksuar se FBK-ja për herë të parë është bërë pjesë e një projekti të Bashkimit Evropian, më saktësisht në kuadër të programit të “Erasmus+”.

Objektivi i përgjithshëm i projektit “Promise” (Një Hap Përpara për Basketbollin e Vajzave dhe Grave) është të promovojë përfshirjen dhe pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në basketboll në të gjitha nivelet e përgjegjësive nëpërmjet hartimit, zbatimit dhe vlerësimit të një programi gjithëpërfshirës të ndërhyrjes.

Projekti "Promise" përbëhet nga 7 institucione që mbulojnë 6 vende evropiane siç janë: Spanja, Irlanda, Kosova, Portugalia, Franca dhe Bullgaria.

Partneriteti është një kombinim i një organizate akademike, përgjegjëse për projektimin dhe vlerësimin e mjeteve, 5 federata kombëtare të basketbollit (Franca, Bullgaria, Kosova, Irlanda, Portugalia) dhe 1 federatë rajonale e basketbollit, Federata e Basketbollit e Katalunisë, e cila edhe udhëheqëse e projektit.

Numri total i sportistëve të përfshirë në programin “Agjentët transformues” që përbën thelbin e “Promise” do të jetë 500.

Projekti ka filluar në janar 2023 dhe do të përfundojë në qershor 2025.