Italia shijon fitoren e parë në kualifikimet e Euro 2024
Italia ka marrë fitoren e parë në kualifikimet për Euro 2024, duke mposhtur Maltën 2-0, pas disfatës nga Anglia në Napoli me rezultat 2-1.
Ishte minuta e 15-të e takimit kur Azzurët kaluan në epërsi me golin e Mateo Retegui që u asistua prej Sandro Tonalit.
Për 2-0 u përkujdes Matteo Pessina (27’), ndërsa Tonali ishte sërish në rolin e asistuesit.
Me këto dy gola edhe u mbyll pjesa e parë, derisa e dyta ishte më e zymtë sa i përket golave.
Shansin e parë të artë në pjesën e dytë e krijoi Gianluca Scamacca në minutën e 60-të kur goditi drejt portës së Maltës, por portieri Henry Bonello bëri një pritje fantastike.
Italianët insistuan deri në fund që të thellonin epërsinë e tyre, por që mbroja vendase ishte e pathyeshme dhe mbeti rezultati 2-0.
Italia është në vendin e dytë në Grupin C me tri pikë, pas Anglisë që ka gjashtë, Maqedonia e Veriut po ashtu me tri, ndërsa Ukraina dhe Malta ende pa pikë.