Raportohet se është arrestuar Agim Ademi, po intervistohet që 4 orë në stacionin policor

Raportohet se është arrestuar Agim Ademi, po intervistohet që 4 orë në stacionin policor

Sport March 21, 2023 - 17:40

Policia e Kosovës e ka arrestuar kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Siç raporton Televizioni T7, nga stacioni policor në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë, Ademi po intervistohet qe katër orë në këtë stacion policor.

Gazeta Express e kontaktoi sekretarin gjeneral të FFK-së, Taulant Hodaj, por ai refuzoi të deklarohet: “Jam i zënë”, tha shkurtimisht ai.

Ende nuk dihen arsyet e arrestimit të Ademit nga Policia.

Në dy-tri vjetët e fundit ka pasur raportime në media se Federata e Futbollit e Kosovës ka qenë duke u hetuar nga prokuroria, policia e krimeve ekonomike dhe inteligjenca doganore për keqpërdorimin e fondeve dhe shmangie tatimore.

Ky arrestim vjen katër ditë para ndeshjes së Kombëtares së Kosovës si mysafire e Israelit në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.

Ditë më parë Ademi është shpallur i pafajshëm për një aktakuzë të ngritur ndaj tij në vitin 2012, për të cilën fillimisht ishte dënuar në dy shkallë të gjyqësorit me 9 muaj burgim efektiv, por që pastaj Supremja e kishte quar në rigjykim rastin e tij dhe në fund u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Pikërisht tash e një vit më parë Ademi ishte arrestuar edhe njëherë nga Policia nën dyshimin për kryerje të sulmit fizik ndaj një punëtori të FFK-së.