Ejupi flet për dëmet e shkaktuara nga vërshimet në infrastrukturën sportive

Ejupi flet për dëmet e shkaktuara nga vërshimet në infrastrukturën sportive

Sport January 29, 2023 - 22:54

Kosova ditë më parë është përballur me vërshime të cilat kanë shkaktuar shumë dëme, duke prekur edhe infrastrukturën sportive.

Remzi Ejupi, anëtar i Bordit të klubit futbollistik, “Prishtina”, ditë më parë ka vizituar komunat e vërshuara, ndërsa ka treguar edhe për gjendjen në të cilën janë disa prej stadiumeve në komunat e prekura nga vërshimet.

Ejupi në RTK tha se Mitrovica dhe Skenderaj janë më të dëmtuarat nga këto vërshime, për çka tha se stadiumet e dy qyteteve janë jashtë funksionit dhe vështirë të bëhen gati për këtë sezon, transmeton Zeri.info.

“Mitrovica ishte e dëmtuar sa që për këtë sezon nuk do të mund të zhvilloj ndeshje në dy stadiumet, gjithashtu edhe në Skenderaj”, tha Ejupi.

Ai kritikoj FFK-në që edhe 20 vjet pas luftës dhe pas anëtarësimit në FIFA dhe UEFA, gjendja është akoma e rëndë në infrastrukturën sportive në vend.

“Është për keqardhje që më shumë se 20 vjet pasluftës infrastruktura në sport ka mbetur në atë gjendje, ka rajone të shumta që nuk e kanë ndjerë fare të mirat nga anëtarësimi i FIFA e UEFA”

“FFK-ja është dashur të ketë njerëz që dinë të menaxhojnë infrastrukturën në sport, duhet të dërgojnë projekte në FIFA e UEFA në mënyrë që të përmirësohet infrastruktura”, tha Ejupi.

Ai përmendi investimet milionëshe të cilat nuk kanë dhënë efektet e duhura në infrastrukturën sportive.

“Mendoj që duhet dikush të merr përgjegjësi, ne harxhuam 11 milionë dhe ne të futemi në renovim përsëri, duhet të dihet ku është qëllimi i gjithë atyre shpenzimeve të mëdha që nuk ka kuptim”. shtoi ai

Ai tha se kjo nuk është hera e parë që infrastruktura sportive është prekur nga vërshimet, ndërsa bëri thirrje që të bëhet zgjidhje urgjente për klubet në Mitrovicë e Skenderaj.

“Jemi në gjendje të vështirë që prej pasluftës, nuk duhet të harrojmë njerëzit që kanë kontribuar prej vitit 90-të, infrastruktura sportive është hallka më e dobët në infrastrukturën e Kosovës. Unë mendoj se në të ardhmen shumë më shpejt duhet të përmirësohet. Besoj që do të merren masa për Skenderajn dhe Mitrovicës si më të prekurat nga vërshimet, duhet të gjendet zgjedhje ku duhet të zhvillohet ndeshja urgjentisht dhe natyrisht që kanë nevojë për mbështetje” ,shtoi Ejupi në emisionin “AS” në RTK. /Zëri