Kosova pëson humbje në futsall nga Ukraina në Prishtinë

Kosova pëson humbje në futsall nga Ukraina në Prishtinë

Sport November 09, 2022 - 19:18

Kombëtarja e Kosovës në futsall ka regjistruar edhe humbjen e tretë në po aq ndeshje të luajtura në kuadër të “Main Round” për kualifikimet e Botërorit 2024. Në ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit 11, Kosova pësoi nga Ukraina.

Për Ukrainën, kjo është fitorja e dytë ndaj Kosovës në këto kualifikime, pasi e mposhti javë më parë edhe në Letoni.

Të mërkurën mbrëma, në duelin e luajtur në Prishtinë, Ukraina triumfoi me rezultatin 5:2. Ukrainasit shënuan dy gola të shpejtë, fillimisht duke zhbllokuar rezultatin me anë të Ihor Cherniavskyit (5’), përpara se Yevgen Siryi (8’) ta dyfishojë epërsinë.

Megjithatë, Kosova arriti ta ngushtojë epërsinë me golin e realizuar nga Drilon Maxharraj (16’) për ta mbyllur pjesën e parë në disavantazh 2:1.

Në pjesën e dytë, Ukraina shënoi edhe tri herë me anë të Mykola Mykytiuk (27’), Artem Fareniuk (30’) e Yaroslav Lebid (33’).

Ndërsa, golin tjetër për Kosovën, e realizoi Meriton Salihu (34’).

Me këtë fitore, Ukraina forcon pozitën e parë në grup me nëntë pikë të tubuara, ndërsa Kosova mbetet e fundit pa pikë. Vendin e dytë, e mbanë Holanda me tri pikë dhe një ndeshje më pak të luajtur. E ka mposhtur Kosovën, ndërsa ka pësuar nga Ukraina.