Tifozi i famshëm i futbollit viziton Kosovën, befasohet nga pritja e klinasve

Tifozi i famshëm i futbollit viziton Kosovën, befasohet nga pritja e klinasve

Sport November 02, 2022 - 13:40

Stadiumi i Klinës është bërë i 642-ti që vizitohet nga tifozi i famshëm i futbollit botëror, Federico Roccio. Kurse, Kosova u bë vendi i 46-të që e viziton “Gjuetari i Stadiumeve”, i cili është i njohur edhe për FIFA-n rreth pasionit të tij të futbollit. Gazeta Express ka biseduar me këtë tifoz të jashtëzakonshëm, i cili ishte befasuar nga mikpritja e ngrohtë që iu kishte bërë nga klinasit. Ishte çuditur kur në stadiumin “18 Qershori” nuk kishte parë fare reflektorë. Tregon se e kishte përjetuar rëndë kur e kishte parë se ka varfëri në Klinë pasi tifozët e shikonin Dukagjinin me Ballkanin prej jashtë stadiumit, ndonëse çmimi i biletës ishte vetëm 2 euro.

Kosova është bërë vendi i 46-të që vizitohet nga Federico Roccio. Italiani njihet si njëri prej tifozëve më të flaktë i futbollit pasi deri më tani ai i ka vizituar 642 stadiume nga 46 shtete të ndryshme të botës.

Destinacioni i fundit i Roccios ishte qyteti i Klinës, ku para disa ditësh ishte i pranishëm në stadiumin “18 Qershori” në ndeshjen kampionale të Kosovës në mes Dukagjinit dhe Ballkanit (1:1). Madje, tifozi italian që njihet edhe si “Gjuetari i Stadiumeve” publikoi fotografi në “Instagram” nga stadiumi i Klinës.

Pasioni i jashtëzakonshëm i tij për futbollin e kishte befasuar edhe FIFA-n, e cila e kishte realizuar një intervistë me këtë tifoz, i cili kishte thënë se qysh në moshën 4-vjeç kishte nisur t’i vizitoi stadiumet me babain e tij, Marion.

Image

Ndërsa, kësaj here “Gjuetari i Stadiumeve” ka folur për Gazetën Express dhe përshtypjeve nga vizita që ia bëri Kosovës respektivisht Klinës.

“Qe një kohë të gjatë dëshiroja të vija në Kosovë për ta shikuar një ndeshje futbolli. Kosova ishte vendi i fundit ballkanik që ende nuk e kisha vizituar. Fillimisht zbrita në aeroportin e Tiranës, ku me katër miq e morëm një veturë me qira dhe udhëtuam në Podgoricë të Malit të Zi, ku fillimisht e shikuam ndeshjen e Buduçnostit. Pastaj, të dielën herët në mëngjes u nisëm drejt Kosovës dhe pas një udhëtimi pesë orësh mbërritëm në Klinë”, thotë Roccio.

“Ishte hera parë e imja që vija në Kosovë. Vetëm dy ditë më herët u njoftuam me orarin e ndeshjeve të futbollit në Kosovë. E zgjodhëm Klinën për t’u ndalur pasi ishte zgjedhja më e përshtatshme për ne sepse në mbrëmje kishim fluturimin nga Tirana në Itali”, thotë ai.

Ndërkohë, tifozi i famshëm italian i shpalosi përshtypjet e tij nga Kosova, ku ishte befasuar për të mirë nga mikpritja e klinasve, ndërsa ishte çuditur kur në stadiumin e Klinës nuk kishte parë fare reflektorë. Më së shumti ishte ndje keq kur kishte parë që njerëz me zemër të mirë jetojnë në varfëri.

“Në ndeshjen që e shikova në Klinë më bëri përshtypje fakti që stadiumi nuk kishte as drita e as kurrfarë ndriçimi. Ndoshta kjo ishte hera e parë që pash diçka të tillë. Më bëri shumë përshtypje dashamirësia e klinasve, të cilët ishin shumë mikpritës për çka i falënderoj. Gjëja më e keqe që më mundoi dhe që më erdhi shumë keq ishte varfëria që pash atje. Shumë njerëz e shikonin lojën nga jashtë stadiumit edhe pse biletat kishin çmim prej vetëm 2 eurosh”, rrëfen Roccio për Gazetën Express.

“Sa i përket lojës nuk mund të flas shumë sepse më shumë isha i fokusuar duke shikuar gjëra tjera dhe duke bashkëbiseduar me klinasit vendas”, tha ai.

Klina nuk do të jetë udhëtimi i fundit i këtij tifozi unik pasi tashmë ka të aranzhuar edhe udhëtime tjera nëpër stadiume të ndryshme nëpër botë. Por, Kosovën planifikon ta vizitojë së paku edhe njëherë.

“Klina dhe Kosova u bë vendi i 46 i imi që e vizitoi. Në dhjetor do të shkojë në Portugali, kurse në janar do ta vizitoi Gjibraltarin. Do të dëshiroja që në të ardhmen të vij sërish në Kosovë, në Prishtinë, për ta shikuar një ndeshje të Kombëtares së Kosovës”, thekson ai.

Roccio është një tifoz i klubit të madh italian, Milan. Mbi të gjitha tifoz i jashtëzakonshëm i futbollit. Ai jeton me futbollin. Se sa i pasionuar është pas futbollit Roccio, më së miri e dëshmon edhe fakti që ai i kishte propozuar martesë të dashurës së tij, Eleonoras, në stadiumin “San Siro”.

Gjithashtu, çifti e kishte kaluar muajin e mjaltit duke vizituar gjithandej vende dhe stadiume të ndryshme të futbollit.