Çeku: Programi “Kosova shtet i xhudos” po fillon faza e parë
Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka filluar një bashkëpunim me kryetarin e Federatës së Xhudos në Kosovë, Agron Kuka.
Ministri Hajrulla Çeku ka njoftuar se sot bashkë me Agron Kuka nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit për mbështetje financiare të fazës së parë të programit “Kosova shtet i xhudos”.
Sipas Çekut, në kuadër të këtij memorandumi parashihet rritja e kapacitetit njerëzor për menaxhimin e programit të trajnerëve në xhudo, hartimi i projektit të detajuar për masovizimin e sportit të xhudos si dhe përkrahja për menaxhimin e organizimit të ngjarjeve ndërkombëtare.
“Përmes programit “Kosova shtet i xhudos” synojmë zhvillimin e infrastrukturës, masivizimin përmes shtrirjes në shkolla, fuqizimin e kapaciteteve të trajnerëve, organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare dhe vazhdimësinë e rezultateve kulmore në sportin e xhudos”, ka shkruar ai në Facebook.