Marku: Do të jap shpirtin për fitore!

Marku: Do të jap shpirtin për fitore!

Sport September 20, 2021 - 20:48
DETAJET

Bokseri shqiptar, Florian Marku i njohur si “Albanian King” do të përballet me ukrainasin, Maxim Prodan të Shtunën më 25 Shtator 2021 në Stadiumin ‘Tottenham Hotspur’ në Londër për titullin ndërkombëtar IBF në peshën e mesme.

Florian Marku do të ngjitet në ring me një rekord të jashtëzakonshëm prej 8 fitoresh dhe 1 barazimi, me 6 prej fitoreve që kanë ardhur me nokaut, ndërkohë kundërshtari i tij, Maxim Prodan ka 19 meçe, 18 fitore, një barazim dhe asnjë humbje, me 15 prej fitoreve që kanë ardhur me nokaut.

Pesë ballafaqimet e fundit të Markut janë zhvilluar për një periudhë 2 vjeçare, që do të thotë se ai ka luftuar mesatarisht çdo 4 muaj e 26 ditë. Në ato luftime, ai zhvilloi në përgjithësi gjithsej 29 raunde, që do të thotë se ato kanë zgjatur mesatarisht 5.8 raunde.

Para duelit të madh të së shtunës ndaj Maxim Prodan, boksieri shqiptar, Florian Marku ka folur për ‘GazetaBlic Sport’, ku shprehet se është më i motivuar se kurrë.

Marku, 28 vjeçar, boksier nga Shqipëria potencon se ai është përgatitur shumë dhe e ka pritur një moment të tillë që kur ka qenë fëmijë.

“Jam më i përgatitur se kurrë. Këto janë momentet që kam prit që kur kam qenë fëmijë. Kam kaluar shumë në jetën time dhe te shofësh se ku isha para 6 vitesh, e ku jam sot është mrekulli. Falenderimi i takon veç Zotit! Ky është momenti im dhe s’do lejojë asnjërin të më ndalojë”, tha fillimisht Florian Marku.

Florian Marku ka tifozë nga e gjithë Evropa, mirëpo padyshim se më të flaktit janë ata nga trevat shqiptare, që gjithmonë e ndjekin nga afër dhe e motivojnë para ballafaqimeve të tij.

Marku foli edhe për përkrahjen e madhe që merr nga shqiptarët, ku i falënderoi ata, teksa shtoi se ata janë vullneti i tij.Në fund, ai tha se do ta japë shpirtin në fushë për të fituar titullin

“Falemenderit nga zemra për të gjithë shqiptarët. Ata janë forca ime, ma shtojnë vullnetin edhe kurajon. Ne jemi luftëtarë dhe sy patrembur. Kur futem brenda në ring i përfaqesojë të gjithë ata. Të shtunën do japë shpirtin për fitoren, dashtë Zoti, rripi do vi me mua në shtëpi të shtunën”, përfundoi Florian Marku.

Çfarë duhet të dini më shumë për duelin Florian Marku – Maxim Prodan?Boksierët pritet të dalin në ring rreth orës 20:00 pasdite në stadiumin Tottenham Hotspur.

Prodan vs Marku do të transmetohet në Sky Box Office HD në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa lufta do të transmetohet në Shtetet e Bashkuara nga DAZN, në Kosovë ende nuk dihet nëse do të transmetohet nga ndonjë televizion.