Berisha: Jam i lumtur për rikthimin në vendlindje, jam gati për sfidën e radhës me FC Prishtinën, kemi skuadër të mirë dhe mund ta mbrojmë titullin

Berisha: Jam i lumtur për rikthimin në vendlindje, jam gati për sfidën e radhës me FC Prishtinën, kemi skuadër të mirë dhe mund ta mbrojmë titullin

Sport September 17, 2021 - 21:26
Lajmet e fundit nga sporti

Futbollisti i mirënjohur nga Kosova, Besart Berisha, sot (e premte) ka mbërritur në Kosovë dhe është shprehur i gatshëm për sfidën e radhës me FC Prishtinën, shkruan Zeri.info.

Më 15 shtator, FC Prishtina kompletoi një nga transferimet më të mëdha në vendin tonë, atë të Besart Berishës.

Pas një karriere mbresëlënëse në Gjermani, Norvegji, Danimarkë, Angli, Australi e Japoni, me Kombëtaren e Shqipërisë dhe Kosovën, futbollisti me prejardhje nga qyteti i Prishtinës vendosi që t’i bashkohet skuadrës “bardhekaltër” për ta shkrirë gjithë potencialin dhe përvojë e fituar në futbollin botëror për ekipin prishtinas.

Berisha sot mbërriti në kryeqytet, teksa në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” u prit nga presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi.

Sulmuesi 36-vjeçar nga aty dha një intervistë për “Sporti në RTK”, ku u shpreh i lumtur që u rikthye në vendlindje.

“Këtë herë jo vetëm për pushime, por edhe pak me luajtë. Jam shumë i lumtur. Kam pasur dëshirë gjithmonë të rikthehem dhe të luajë këtu. Jam shumë i lumtur që tash erdhi puna që të luajë për Prishtinën. Ka qenë gjithë një dëshirë. E kam përcjellë gjithmonë ligën e Kosovës dhe tash jam i lumtur që pas 18 sezonëve jashtë, jam ardhë këtu.

Unë si lojtar gjithmonë i kam dashur sfidat. Kështu edhe këtë sezon unë kam dashtë për me ardhë këtu, të bashkohem me Prishtinën. I vlerësoj shumë. Është një skuadër e mirë, miks me lojtar që kanë eksperiencë dhe lojtar të ri. E falënderoj klubin që ma dhanë mundësinë që të rikthehem për të luajtur në Kosovë. E di që liga është përmirësuar shumë në Kosovë dhe unë jam gati. Unë ndihem gati për sfidën” – tha fillimisht Berisha.

“Golashënuesi më i mirë në histori të futbollit në Australi, a do ta thyesh edhe këtë rekord në Kosovë? Të shohim. Liga në Kosovë është përmirësuar shumë dhe është bërë e fortë. Unë si sulmues gjithmonë kam dëshirë me shënu gola. Qëllimi im është që me fitu tituj. Është një ëndërr që duhet provuar për ta realizuar. Më shumë jam për të pasur një sezon të mirë” – shtoi qendërsulmuesi, shkruan Zeri.info.

“Starti i dobët i Prishtinës, a do t’i ndihmojë ardhja juaj për ta mbrojtur titullin? Është shumë interesant se në këtë pozitë kam qenë edhe unë jashtë. Kampionët gjithmonë e kanë problem të dytin vit sepse krejt duan me fitu kundër kampionit. Edhe krejt jepin maksimumin, se kjo është si finale për çdo skuadër tjetër. Kështu, është pak e vështirë, por unë e kam shikuar ndeshjen e kaluar dhe Prishtina ka skuadrën e mirë siç thashë. Besoj dhe shpresoj që kanë shansa të mira që prap Prishtina të bëhet kampion, por është punë e madhe. Duhet me punu. Pak disiplinë e pak ‘nafak’ dhe besoj se është e mundshme” – tha përforcimi i fundit i FC Prishtinës.

“A mendon se do ta mbyllësh karrierën në vendlindje? Kjo ka qenë dëshira ime. Këtu hapat e parë i kam bërë, edhe pse s’kam luajtur në ekipe. Unë gjithmonë e kam pasur në mendje dhe e kam pasur dëshirë që të rikthehem këtu dhe tash jam gati. Për mua është me rëndësi të koncetrohem në këtë vit, me jep maksimumin. Me përvojën t’i ndihmojë skuadrës, klubit, lojtarëve të ri. Të ardhmen pastaj ta shohim” – deklaroi Besart Berisha. /Zeri.info