Zyrtare: Arbnor Morina merr drejtimin e Ferizajt

Zyrtare: Arbnor Morina merr drejtimin e Ferizajt

Sport September 17, 2021 - 20:49
Lajmet e fundit nga sporti

FC Ferizaj ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me trajnerin e mirënjohur, Arbnor Morinën, shkruan Zeri.info.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, klubi ferizajas bëri të ditur se Arbnor Morina do ta udhëheq skuadrën deri në fund të sezonit.

Ndihmës i Morinës do të jetë Petrit Rushiti, kurse trajner i portierëve do të vazhdojë të jetë Luan Alija.

Njoftimi i plotë nga FC Ferizaj:

“Arbnor Morina, trajneri i ri i skuadres sonë.

Kemi kënaqësinë që t’iu informojmë se Arbnor Morina do të jetë kryetrajner i Ferizajt në vazhdim të kampionatit. Drejtuesit e klubit dhe trajneri Morina kanë arritur marrëveshje deri në fund të sezonit. Ndihmës i Morinës do të jetë Petrit Rushiti, i cili ka të përfunduar Fakultetin e Shkencave Sportive dhe është i pajisur me licencën A të UEFA-s. Kurse, trajner i portierëve do të vazhdojë të jetë Luan Alija. Shtabi teknik pritet të kompletohet edhe me një trajner.

Arbnor Morina ka qenë pjesë e gjeneratës së artë të FC Prishtinës. Si trajner i ka drejtuar me sukses disa klube kosovare dhe është ndër trajnerët e paktë në Kosovë që është i pajisur me licencën PRO të UEFA-s.

Morina do ta marr drejtimin e ekipit prej ditës së hënë, ku do të mbajë seancën e parë stërvitore.

Ndërkaq, ekipin ndaj Vushtrrisë pritet ta drejtojë Sherif Topalli.

Drejtuesit e klubit i urojnë mirëseardhje dhe punë të mbarë trajnerit Morina dhe stafit të tij. Premtojnë mbështetje të madhe drejt realizimit të objektivave”. /Zeri.info