Jugonostalgjia e B92-shit – grumbullon medaljet olimpike të shteteve të dala nga ish-Jugosllavia

Jugonostalgjia e B92-shit – grumbullon medaljet olimpike të shteteve të dala nga ish-Jugosllavia

Sport July 28, 2021 - 20:58

Mediumi serb pro-pushtet, B92, ka përpiluar një artikull në lidhje me medaljet e fituara nga ish-shtetet e ish-Jugosllavisë.

Siç shkruan ky medium, pas pesë ditësh të Lojërave Olimpike në Tokio, ish-shtetet e Jugosllavisë kanë rezultate mjaft të mira.

Shkrimin e nis me Serbinë, ndonëse renditet më keq se dy shtete tjera të rajonit, Kosova dhe Sllovenia, të cilat kanë nga dy të arta, kurse Serbia vetëm një, raporton Zeri.info.

Deri më tani, Serbia ka arritur të fitojë vetëm një medalje të artë, një të argjendtë dhe dy të bronzta.

Pastaj vjen Sllovenia, që sipas B92-shit, “është edhe me mirë” se Serbia. Ajo ka dy të arta, dhe nga një të argjendtë dhe të bronztë, dhe renditet si e 13-ta në renditjen aktuale të medaljeve në ueb-faqen zyrtare të Olimpiadës.

Menjëherë pas saj, shkruan ky medium propagandues serb, renditet “i ashtuquajturi shtet i Kosovës, i cili ka vetëm dy medalje, por të dyja janë të arta”.

Më tej thotë se Kroacia ka një të artë dhe një të bronztë, dhe Maqedonia e Veriut ka fituar vetëm një të argjendtë.

“Në total, kjo na jep gjashtë medalje të arta, dy të argjendta dhe pesë të bronzta për popujt ish-jugosllavë. Për momentin, me këto rezultate do të merrnim vetën e 7-të në listën e medaljeve, që është një rezultat pa dyshim i lakmueshëm”, shkruan B92.

“Se edhe sa medalje mund t’i marrin ish-republikat jugosllave, mbetet të shihet në dy javët e ardhshme”, përfundoi shkrimi i këtij mediumi serb, i cili, me këtë fjalinë e fundit, ndoshta pa vetëdije, e ka konsideruar edhe Kosovën Republikë në vete në ish-Jugosllavi. /Zëri