Ertan Xhihiqi, donatori që shkriu pasurinë e tij për futbollin e Kosovës, sot ndihet i zhgënjyer e i lënë anash, por edhe krenar për vitet e arta

Ertan Xhihiqi, donatori që shkriu pasurinë e tij për futbollin e Kosovës, sot ndihet i zhgënjyer e i lënë anash, por edhe krenar për vitet e arta

Sport March 05, 2021 - 14:35
Detajet

Dha gjithçka për një qytet, një klub, për futbollin e Kosovës. Fitoi gjithçka që mund të fitohet dhe në fund u largua, u largua i dëshpëruar. Ertan Xhihiqi vite më parë ka qenë një ndër donatorët më të fuqishëm të futbollit kosovar, duke e shkrirë pasurinë e tij për klubin Besiana nga Podujeva. Sot ky klub nuk ekziston në futbollin e Kosovës, sikurse edhe Ertani

Futbolli në Kosovë në vitet e paraluftës dhe pas saj është mbajtur gjallë nga njerëzit e vullnetit të mirë.

Një ndër biznesmenët që ka dhënë gjithçka që kishte për futbollin tonë është edhe Ertan Xhihiqi.

Image

Ai e kishte themeluar klubin Besiana nga Podujeva në vitin 1995, ndërkohë që deri në vitin 2003 ky ekip ishte një ndër klubet më të forta në Kosovë. Yjet e futbollit kosovar kanë kaluar nga ky ekip.

Besiana tashmë është shuar, por emri i saj është shkruar në analet e futbollit kosovar, pasi në edicionin 2001-2002 ky klub e fitoi titullin kampion, Kupën e Kosovën dhe Superkupën.

Nga investimi milionësh i kanë mbetur disa kupa e mirënjohje

Donatori i asaj kohe te Besiana, Ertan Xhihiqi, është rrëfyer gjatë në një intervistë për “Zeri.info”.

“Sot krejt çka më kanë mbetur janë disa kupa, mirënjohje e medalje. Nga gjithë ai investim nuk ka mbetur asgjë tjetër”, nis bisedën Ertan Xhihiqi.

Image

Ai nuk e di se sa para i ka shpenzuar në futboll, para të cilat nuk i janë kthyer asnjëherë.

“Të them të drejtën nuk e di sa para janë shpenzuar. Nuk kemi bërë llogari, por shifrat janë të mëdha. Në vitet e fundit më ka ndihmuar edhe Elmi Zhugolli për ta mbajtur klubin”, shtoi ai.

Kur pyetet sa a është bërë pishman për gjithë atë investim, Xhihiqi deklaroi: “Kurrë, asnjëherë nuk bëhem pishman për diçka që e kam bërë. Kam menduar se do të bëhet mirë për sportin dhe rininë e Kosovës, por nuk ndodhi ashtu siç pritëm. Më shumë jam pishman për disa njerëz që i kam konsideruar si shokë e miq, e të cilët më kanë dëshpëruar”.

Xhihiqi sot ndihet i harruar nga të gjithë, thotë se nuk i bëjnë përshtypje as mirënjohjet eventuale nga Federata e Futbollit e Kosovës ose fjalët e mira.

“E ceka se jam i dëshpëruar nga shokët e mi. Më bëri përshtypje që më telefonuat pas shumë kohësh për të pyetur për mua. Nuk më bëjnë përshtypje fjalët ose mirënjohjet nga FFK-ja”, pohoi Ertan Xhihiqi.

Futbolli atëherë dhe sot

Ertan Xhihiqi vlerëson se futbolli në vitet e paraluftës dhe të pasluftës ka qenë shumë më i fortë sesa sot në Kosovë.

“Në atë kohë është luajtur futboll më i fortë. Ne e kemi pasur trajner Bylbyl Sokolin, i cili në skuadër i pati sjellë disa futbollistë që kanë zemër dhe nuk janë frikësuar për të luajtur në asnjë stadium. Në atë kohë në futbollin tonë kanë luajtur futbollistë si Ismet Munishi, Suad e Synaj Keçi, Arsim Durmishi e shumë të tjerë. Sot në Kosovë mungojnë lojtarë të tillë”, vlerësoi Xhihiqi.

Image

Në Kosovë e solli Gençlerbirligin e Olimikun e Sarajavës, i kujton edhe takimet me Ibrahim Rugovën

Xhihiqi ka dhënë kontribut në afirmimin e futbollit kosovar edhe në arenën ndërkombëtare.

Ai arriti ta sjellë në Prishtinë për një ndeshje miqësore skuadrën turke Gençlerbirligi dhe Olimpikun e Sarajevës në vitin 2003, vit kur futbolli ynë nuk ka qenë i pranuar në UEFA dhe FIFA.

“Vetëm ardhja e Gençlerbirligit në Kosovë më ka kushtuar 100 mijë dollarë. Presidenti i këtij klubi ka qenë me prejardhje shqiptare, nga Prishtina. Ata sakrifikuan duke ardhur në Kosovë duke e ditur se nuk kemi qenë të pranuar në UEFA dhe FIFA”, kujton Xhihiqi, i cili ndihet shumë krenar për një tjetër fakt, që lidhet me presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Ne jemi klubi i vetëm në Kosovë që jemi nderuar nga Ibrahim Rugova, i cili na ka dhënë Kupën e Kosovës në stadium. Më kujtohet një takim në vitin 1995 kur na priti në zyrën e tij dhe na dhuroi edhe monedha dardane. Ishte kohë tjetër”, pohoi Xhihiqi.

Image

“Jetoj në Stamboll dhe nuk mendoj të kthehem kurrë më në futbollin e Kosovës”

Xhihiqi tash e disa vjet jeton në Stamboll të Turqisë ku merret me biznes dhe rikthimi në Kosovë nuk është në planet e tij.

“Jo, nuk mendoj të kthehem kurrë më në futbollin e Kosovës, jam i dëshpëruar me shumë njerëz atje, nuk ia vlen dhe jam i zhgënjyer. Futbollin e Kosovës e përcjell përmes internetit dhe u dëshiroj suksese të gjithëve”, përfundoi Ertan Xhihiqi. /Zeri.info

Image