Almir Kryeziu shprehet optimist: Pres të fitojmë ndaj Feronikelit, e japim maksimumin në çdo stadium ku luajmë
Stinori pranveror në futbollin kosovar pritet të fillojë këtë mesjavë me ndeshjet e 1/8 së Kupës së Kosovës.
Një nga takimet që pritet të jetë interesant është ajo mes Arbërisë dhe Feronikelit që zhvillohet këtë të mërkurë.
Në prag të këtij takimi, talenti këmbëshpejtë i Arbërisë, Almir Kryeziu ka folur për “Zeri.info”.
Kryeziu është shprehur optimistë se skuadra e tij do të triumfojë në përballjen kundër “Industrialistëve”.
“Na pret një ndeshje jo edhe e lehtë. Feronikeli ka lojtarë shumë cilësor. Ne jemi të përgatitur shumë mirë për këtë ndeshje edhe pres nga ky takim që do të fitojmë”, tha fillimisht Kryeziu të hënën për “Zeri.info”.
Kjo përballje ndërmjet dy skuadrave pritet të zhvillohet në Ferizaj pasi stadiumi i Arbërisë nuk është i licencuar.
Ndonëse ata nuk po i luajnë duelet në stadiumin e tyre, Kryeziu ka potencuar se ata e japin maksimumin pavarësisht se ku luajnë.
“Normal se është shumë e vështirë që nuk i luajmë ndeshjet në stadiumin tonë. Por, ne e japim maksimumin pavarësisht në cilin stadium luajmë”, shtoi më tutje ai.
Arbëria nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur kosovar, Arbnor Morinës ndodhet në vendin e gjashtë me 21 pikë të grumbulluara në 18 sfida të luajtura në Superligë.
Sipas Almir Kryeziut, vendi i Arbërisë në tabelë në fund të edicionit nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha me pozitën aktuale.
“Pozita e Arbërisë në fund të edicionit do të jetë diku vendi i pestë apo i gjashtë”, përfundoi Kryeziu.
Ndryshe, Almir Kryeziu është një nga talentet më premtues të futbollit kosovar. /Zeri.info