Almir Kryeziu në “radarin” e klubeve “big” të Superligës së Kosovës
Almir Kryeziu është futbollisti që po shkëlqen këtë edicion me Arbërinë e Dobrajës në elitën e futbollit kosovar.
Futbollisti nga Xërxa ishte ndër më të mirët te skuadra lipjanase në stinorin vjeshtor, shkruan "Zeri.info".
22-vjeçari u paraqit në 17 ndeshje në të gjitha garat për Arbërinë deri më tani këtë edicion, derisa ka arritur të shënojë një gol dhe të dhurojë katër asistime.
Paraqitjet e mira në Superligë bën që ai të ftohet edhe nga Përfaqësuesja U21 e Kosovës, e cila drejtohet nga Rafet Prekazi, ku ai arriti edhe të debutojë.

Forma e mirë e Kryeziut ka bërë që për të të shfaqin interesim klube elitare në Kosovë, por edhe jashtë vendit.
"Zeri.info" merr vesh se për Kryeziun interesim kanë shfaqur klubet si FC Prishtina, Gjilani, Ballkani dhe Llapi.
Por, burimet tona bëjnë me dije se futbollisti i talentuar nuk është duke i shqyrtuar tani për tani ofertat e klubeve kosovare.
Ndryshe, stinori pranveror në futbollin kosovar nis më 13 shkurt, aty ku Kryeziu synon ta vazhdojë shkëlqimin me skuadrën simpatike nga Lipjani. /Zeri.info
