Dy shkelje “ekspres” nga FFK-ja, e përzien edhe UEFA-n

Dy shkelje “ekspres” nga FFK-ja, e përzien edhe UEFA-n

Sport November 30, 2020 - 15:02

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të premten ka shkelur rregulla e akte juridike në dy raste të ndryshme. Dhe, në këto shkelje e ka përzier edhe UEFA-n, raporton Gazeta Express.

Shkelja e parë ka të bëjë me Kuvendin e Punës së FFK-së, i cili ishte thirrur për t’u mbajtur më 20 dhjetor. Por që Komiteti Ekzekutiv vendosi ta shtyjë këtë kuvend për vitin e ardhshëm, ndryshe prej asaj që e ka kërkuar shteti.

Ministria e Sportit para pak javësh e ka lëshuar një qarkore, përmes së cilës i obligon të gjitha organizatat sportive që deri në fund të këtij viti t’i mbajnë Kuvendet e Punës që nuk i kanë mbajtur për vitin 2019 shkaku i pandemisë. Kurse, në fillim të vitit 2021 ka kërkuar të mbahen zgjedhjet në të gjitha federatat dhe në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) për ciklin olimpik 2021-2024.

Mirëpo, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka vendosur që Kuvendin e Punës, të cilin do të duhej ta mbante brenda këtij viti, ta shtyjë për vitin 2021. Madje, FFK nuk merret fare me udhëzimin e Ministrisë së Sportit duke u arsyetuar se për këtë shtyrje është koordinuar me UEFA-n.

“Komiteti Ekzekutiv vendosi që të shtyjë Kuvendin e Punës, i cili ishte paralajmëruar për 20 dhjetor. Një vendim i tillë u mor në koordinim me UEFA-n për shkak të situatës me pandeminë si dhe për faktin se FFK është në proces të digjitalizimit dhe platforma online ende nuk është e gatshme. Kësisoj, Kuvendi i Punës do të mbahet në vitin e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Por, FFK po e bën edhe një shkelje tjetër, duke e përzier me UEFA-n. Sipas rregulloreve të garave të FFK-së, respektivisht nenit 6, vendimi për ndryshim të sistemit të garave bëhet më së voni një vit para fillimit të garave.  

Kurse, FFK në parim ka vendosur qysh tash – në mes të këtij edicioni për edicionin e ardhshëm – rreth formatit të garave për kampionatin e radhës në Ligën e Parë.

Pasi e ka marrë një kërkesë nga klubet e kësaj lige që edhe në edicionin e radhës në këtë kategori të mos ndryshojë formati i garave, FFK në parim e ka pranuar këtë kërkesë. Por, zyrtarisht thotë se do të vendos pasi të koordinohet me UEFA-në nëse formati i kampionatit të ardhshëm do të ndryshoj apo jo.

“Komiteti Ekzekutiv shqyrtoi edhe kërkesën e klubeve të Ligës së Parë drejtuar këtij organi që edhe edicionin e ardhshëm kjo ligë të vazhdojë me formatin e njëjtë të garave. Në parim Komiteti Ekzekutiv e mbështeti këtë kërkesë, por ajo do të analizohet edhe një herë dhe në koordinim me UEFA-n do të merret vendimi i duhur”, thuhet në njoftim të FFK-së.

Por, në fakt federatat anëtare të UEFA-s kanë të drejtë t’i zgjedhin sistemet dhe formatet e garave kampionale që ato i vet i vlerësojnë si më të mira dhe më të përshtatshme për vendet e tyre. Aq më pak UEFA merret me formatet e kategorive të garave më të ulëta.

Vet FFK kur e kishte zvogëluar Superligën nga dymbëdhjetë në dhjetë skuadra kishte thënë se ky vendim është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i saj, pa e përmendur fare UEFA-n në atë njoftim. “Komiteti Ekzekutiv shqyrtoi edhe njëherë formatin e garave për edicionin e ri 2020/2021 dhe mori vendim që Superliga të ketë 10 skuadra me sistem të katërfishtë, ku nga liga do të largohen dy skuadrat e fundit në tabelë dhe anëtarë të rinj bëhen dy skuadrat kampione të grupeve në Ligën e Parë, thuhej në atë njoftim.

Kurse, drejtuesit e saj potenconin se formati i ri i Superligës është vendosur në shërbim të interesit të futbollit. “Interesi i futbollit kosovar është që Superliga t’i ketë dhjetë skuadra dhe çështja e zvogëlimit të numrit të skuadrave të Superligës as që duhet të vijë në diskutim“, pati deklaruar sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu. /GazetaExpress/