
Përkundër formës së lartë, Ermal Krasniqi nuk ftohet nga Rafet Prekazi për ndeshjet e radhës së Kosovës U21
Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës U21, Rafet Prekazi ka publikuar listën e futbollistëve për dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian U21, kundër Shqipërisë, më 13 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe kundër Turqisë, më 17 nëntor në Samsun.
Stërvitja e parë e Dardanëve të rinj bëhet të hënën më 9 nëntor, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas në orën 14:00.
Në listën e publikuar nga Prekazi ka shumë futbollistë nga Superliga e Kosovës.

Por, ajo që bie në sy është mungesa e yllit të Ballkanit, Ermal Krasniqi.
Krasniqi po shkëlqen nga ndeshja në ndeshje me skuadrën e Ismet Munishit.

Madje, ai shënoi edhe gol të bukur në barazimin dramatik (1:1) ndaj Feronikelit dje (e enjte).
Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që përzgjedhësi Prekazi anashkalon futbollistët që po kalojnë formë të lartë në kampionatin e Kosovës në futboll. /Zeri.info
