Faza e parë e këtij edicioni në Superligë: Skuadra lidere, sulmi dhe mbrojtja më e mirë deri më tani
FOTO: Laura Hasani

Faza e parë e këtij edicioni në Superligë: Skuadra lidere, sulmi dhe mbrojtja më e mirë deri më tani

Sport October 28, 2020 - 19:27

Me ndeshjet e sotme (Ballkani – FC Prishtina 2:1), (Gjilani – Besa 1:0) dhe (Drenica – Trepça’89) është mbyllur java e nëntë në kuadër të Superligës së Kosovës në futboll, njëherit edhe faza e parë e këtij edicioni në elitën e futbollit kosovar.

Pas nëntë xhirosh, Ballkani i Ismet Munishit është lider në renditjen tabelore në Superligën e Kosovës me 22 pikë të tubuara, raporton “Zeri.info”.

Skuadrën nga Suhareka po e përcjell nga afër Drita e Gjilanit, e cila zë vendin e dytë dhe me 16 pikë, gjashtë më pak se Ballkani, por me dy ndeshje më pak të zhvilluara.

Top-treshen e mbyll Gjilani i Gentjan Mezanit, i cili ka tubuar hiç më pak se 16 pikë në nëntë ndeshjet e para të edicionit të ri.

Në pjesën e poshtme të tabelës, Besa e Pejës dhe Llapi nuk i kanë aspak punët mirë, të cilat kanë tubuar vetëm nga pesë pikë në ciklin e parë të edicionit të ri në Superligë.

Sa i përket statistikave, në anën ofanzive, Ballkani është treguar skuadër dukshëm më cilësore, ku në krye me “bomberin” Mirlind Daku ka shënuar gjithsej 26 gola në këtë fillim edicioni.

Ndërkaq, në anën defanzive, Ballkani nuk është “lider”, pasi primatin për këtë e mbajnë Drita dhe Gjilani me nga pesë gola të pranuar deri më tani.

Vlen të ceket se Arbëria e Dobrajës ishte befasia më e ëmbël e këtij fillim edicioni, duke u renditur në vendin e pestë me 11 pikë të tubuara deri më tani.

Skuadra nga Lipjani ka arritur deri më tani tri fitore, dy barazime dhe katër humbje. /Zeri.info

Image