Rrëfimi i gazetarit italian të “La Reppublica”: Vedat Muriqi është transferimi më i mirë, ai mund të jetë bashkëlojar i mirë me Ciro Immobilen

Rrëfimi i gazetarit italian të “La Reppublica”: Vedat Muriqi është transferimi më i mirë, ai mund të jetë bashkëlojar i mirë me Ciro Immobilen

Sport October 28, 2020 - 18:54

Gazetari italian, Enrico Curro është rrëfyer në një bisedë me “Zeri.info” në lidhje me lëvizjet e futbollistëve nga Kosova në futbollin italian, treshen Vedat Muriqi, Mërgim Vojvoda dhe Amir Rrahmani si dhe për ardhjet eventuale të futbollistëve shqiptarë në futbollin e Italisë në të ardhmen.

Tre futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, Mërgim Vojvoda dhe Amir Rrahmani e nisën këtë verë një aventurë të re në karrierën e tyre, shkruan “Zeri.info”.

Muriqi la Fenerbahçen në Turqi për ta bërë “hapin e madh” në karrierë duke iu bashkuar Lazios së Simone Inzaghit, derisa Mërgim Vojvoda nga Standard Liege arriti marrëveshje me Torinon, ku po përshtatet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Image

Nga ana tjetër, Rrahmani i cili ishte në Serie A që prej vitit 2019 te Hellas Verona, këtë verë kompletoi transferimin te gjiganti italian, Napoli.

Gazetari italian, Curro, i cili punon në mediumin e mirënjohur “La Reppublica” ka deklaruar fillimisht se pret shumë nga futbollistët shqiptarë në elitën e futbollit italian.

Image

“Unë mendoj se tani futbollistët nga Kosova janë më me përvojë, ata e dinë mënyrën tonë të futbollit. Kështu që ata mund të luajnë shumë mirë. Ritmi i ndeshjeve është më i lartë në top pesë kampionatet më të mëdha, por ata kanë kualitet”, deklaroi fillimisht Enrico Curro për “Zeri.info”.

Ai mendon se ardhja e Vedat Muriqit te Lazio ishte më e mira, derisa thotë se e ka vëmendjen edhe te Mërgim Vojvoda i Torinos.

“Natyrisht, Muriqi është transferimi më i mirë. Ai mund të jetë shumë efikas dhe këto ditë ai është duke e treguar klasin e tij si një futbollist i fuqishëm që është. Gjithashtu edhe Vojvoda është duke luajtur mirë te Torino”, tregon më tej gazetari italian.

Image

I pyetur më tej për kalimin e Muriqit te Lazio, ai tha se sulmuesi i Kosovës mund të përshtatet mjaft mirë te Lazio.

“Unë mendoj se po. Ai ka një shans të madh të luajë me Ciro Immobilen pasi Correa dhe Caicedo nuk shënojnë aq sa mund të bëjë Muriqi. Por, varet vetëm nga ai. Ai është shumë i mirë për të qenë bashkëlojtar i Immobiles”, potencoi Curro.

I pyetur për fund se a pret ndonjë lëvizje të futbollistëve shqiptarë në Serie A gjatë afatit kalimtar të janarit, Enrico Curro tha:

“Unë nuk pres ardhje të reja në janar, por unë e di se futbollistët shqiptarë kanë tani më shumë shanse shkaku i atyre futbollistëve që luajnë në Serie A. Ndeshjet e tyre nga tani në dhjetor mund t’i inkurajojnë klubet italiane për t’i rekrutuar. Unë mendoj se kjo mund të ndodhë në verën e ardhshme”. /Zeri.info

Image