FC Prishtina e prezanton trajnerin Zekrija Ramadani: Prishtina, ndër klubet më të mëdha në rajon
FC Prishtina ka angazhuar kryetrajnerin e 23-të pas luftës. Ish-kapitenin dhe kryetrajnerin Armend Dallku, do ta pasojë trajneri 42 vjeç, i lindur në Shkup më 21 janar, 1978, Zekirija Ramadani, shkruan faqja e klubit, përcjell Zeri.info.
Ramadani para Prishtinës ka udhëhequr Shkupin (2014-2015 dhe 2018), Flamurtarin e Vlorës (2016), Trepçën ’89 (kampion, 2017), Feronikelin (2017 dhe kampion, 2018/19).
Ramadani, si futbollistë është paraqitur për Shkëndijën (1995-1999 dhe 2009/10), Shkupin (1999-2004), Bashkimin Kumanovë (2004/05), Vëllazërimin Kërçovë (2005), Belasitsa Bullgari (2006/07), Rabotniçki (2006), Besa Kavajë (2007/08), Qarabag Azerbajxhan (2008/09), Vardar (2010) dhe Flamurtari Vlorë (2010/11).
Ramadani kundër Prishtinës ka udhëhequr në katër ndeshje Feronikelin (1 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje, 2:2) dhe me Trepçën ’89 dy ndeshje (1 barazim dhe 1 humbje, 1:1).
“Është privilegj i madh për mua të udhëheq Prishtinën. Patjetër që do të jetë përgjegjësi, sepse Prishtina është klubi ndër më të mëdhenjtë në rajon. Normalisht që duhet punuar shumë që të arrihet objektivi. Ishin të qartë edhe drejtuesit të cilët i falënderoj për besimin që më dhanë për të drejtuar ekipin e Prishtinës. Shpresoj dhe besoj që deri në fund t’i arrijmë objektivat duke besuar në kolektiv, duke besuar në stafin teknik dhe duke besuar edhe në drejtuesit”, ka deklaruar Zekrija Ramadani. /Zeri.info