Ngritja e madhe e çmimit të të drejtave televizive të Superligës së Kosovës
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka njoftuar se të drejtat televizive të Superligës së Kosovës i janë shitur ofertuesit "Art Motion & Klan Kosova".
Në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës thuhet se ofertuesi më i lartë ishte kompania e sipërpërmendur, e cila edhe do t'i transmetojë ndeshjet e kampionatit elitar kosovar në edicionin e ardhshëm, shkruan "Zeri.info".
Oferta e kompanisë fituese ishte 380 mijë euro, e cila është miratuar me rekomandimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ofertave për të Drejtat Televizive të Superligës.
Padyshim se në këtë drejtim ka pasur progres të jashtëzakonshëm, pasi më parë, "Zeri.info" merr vesh shuma e ofruar dhe fituese ka qenë vetëm 22,500 euro.

Kësisoj, e gjithë kjo shumë do të shkojë për klubet elitare kosovare, që i bie 38 mijë euro për një klub të vetëm.
Ndryshe, në garë kanë qenë edhe "Kujtesa & T7" si dhe "Nimi TV", megjithatë oferta e kompanisë fituese ishte më e larta dhe kështu rezultoi si fituesja.
Njoftimi i plotë i FFK-së:
"Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e ka miratuar rekomandimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ofertave për të Drejtat Televizive të Superligës për lidhje të kontratës me ofertuesin më të suksesshëm dhe çmimin më të lartë – ofertuesin “Art Motion & Klan Kosova” nga Prishtina.
Komisioni ad hoc për Shqyrtimin e Ofertave për të Drejtat Televizive të Superligës së Kosovës në futboll i formuar nga ana e Këshillit për Çështje Emergjente dhe aprovuar nga Komitetit Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, konform autorizimeve të marra nga KE dhe pas hapjes se ofertave ka gjetur se dy ofertues i kishin plotësuar kriteret për shqyrtim të ofertës së tyre, “Kujtesa&T7” dhe “Art Motion&Klan Kosova”, derisa ofertuesi i tretë “Nimi-Tv” është eliminuar, pasi nuk i ka plotësuar kushtet esenciale sipas ftesës për ofertë.
Duke marrë për bazë përshtatshmërinë juridike, profesionale, teknike dhe financiare si dhe çmimin më të lartë të ofruar, Komisioni ka gjetur që ofertuesi “Art Motion & Klan Kosova” i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara me ftesën për ofertë dhe ka ofruar çmimin më të lartë prej 380.000 euro. Prandaj, Komisioni i ka rekomanduar KE të FFK-së për lidhje të kontratës me këtë ofertues. Ndërkohë, KE me unanimitet e ka miratuar rekomandimin e Komisionit, duke e shpallur fituese të të drejtave televizive të Superligës ofertuesin “Art Motion – Klan Kosova” dhe i njëjti do t’i marrë këto të drejta pas nënshkrimit të kontratës.
Njëherësh KE i FFK-së ka falënderuar edhe ofertuesin tjetër “Kujtesa & T7” për interesimin dhe ofertën e bërë që gjithashtu ishte mjaft serioze por që e kishte çmimin më të vogël se ofertuesi i suksesshëm.
Vlen të theksohet se sivjet për dallim nga vitet e kaluara KE i FFK-së ka vlerësuar se është shënuar ngritje e konsiderueshme e çmimit të shitjes së të drejtave televizive. Kjo është e mirëseardhur për klubet, pasi e gjithë shuma e kësaj kontrate do t’i ndahet 10 klubeve të Superligës, të cilat këtë vit do të kenë të ardhura dukshëm më të mira nga të drejtat televizive se sa në vitet paraprake". /Zeri.info