Agim Ademi sqaron se pse dështoi kësaj radhe ardhja e Andi Zeqirit te Kosova, i zbulon të rejat e fundit rreth ndeshjeve me Moldavinë dhe Greqinë

Agim Ademi sqaron se pse dështoi kësaj radhe ardhja e Andi Zeqirit te Kosova, i zbulon të rejat e fundit rreth ndeshjeve me Moldavinë dhe Greqinë

Sport August 26, 2020 - 11:29
Detajet

Andi Zeqiri (Lausanne) apo Bastien Toma (Sion) ishin disa nga emrat që Kosova përkatësisht presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i kishte paralajmëruar se do të jenë prurje të reja te Përfaqësuese, shkruan “Zeri.info”.

Megjithatë, të martën kur përzgjedhësi i Kosovës, Berndard Challandes, e shpalli listën e të ftuarave, nuk pati asnjë risi nga listat e kaluara.

Të gjithë emrat e grumbulluar ishin të njohur për opinionin pasi edhe më herët kanë qenë pjesë e Kosovës

Numri një i FFK-së, Agim Ademi në një bisedë për “Zeri.info” ka thënë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe se të gjithë lojtarët që i ka paralajmëruar do të jenë pjesë e Kosovës.

“Në shumë raste është çështja e dokumentacionit që nuk ka mundur të kryhen, por unë them se ata janë të garantuar që do të vijnë. Andi Zeqiri veçse ka qenë i planifikuar të grumbullohet për këto ndeshje, mirëpo nuk u kompletuan dokumentet dhe ai mbeti jashtë listës. Zeqiri na është dashur shumë për këto takime sidomos tash që po mungon Vedat Muriqi, por ja që dokumentet këtë herë nuk i mundësuan të jetë me ne. Unë them se në tetori ai gjithsesi se do të jetë. Po e përsëris, do të ketë risi dhe lojtarët që i kemi përmendur do të vijnë”, ka thënë presidenti i FFK-së, Agim Ademi për Zeri.info.

Image

Ai foli më pas për organizimin rreth dy ndeshjeve të shtatorit me Moldavinë dhe Greqinë, sfidat e para në kuadër të Ligës së Kombeve.

“Ne jemi duke u përgatitur shumë mirë për këto dy ndeshje. Ekipi grumbullohet në “Emerald” në fund të këtij muaji në masa të rrepta për shkak të koronavirusit për të udhëtuar më pas drejt Italisë me avion “Charter” ku luajmë me Moldavinë ndërsa presim të rikthehemi për Prishtinë për ndeshjen ndaj Greqisë, por nëse përkeqësohet situata, mund të përdoret plani B që ndeshja të luhet në Itali”, ka zbuluar Agim Ademi.

Image

Me ndeshjen Moldavi – Kosovë që zhvillohet në Parma më 3 shtator, nis paraqitja e Kosovës në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Tri ditë më pas Kosova e sfidon në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë Greqinë.

Për dallim nga edicioni i parë, në të cilin garoi në Ligën D (niveli më i ultë), Kosova tani do të garojë në Ligën C. /Zeri.info