Edhe Hajvalia ia sheh sherrin pandemisë, Meda i vajton klubet kosovare

Edhe Hajvalia ia sheh sherrin pandemisë, Meda i vajton klubet kosovare

Sport August 25, 2020 - 13:00
Lajmet e fundit nga sporti

Koronavirusi vazhdon të mbetet një shqetësim i madh për globin.

Kosova si një shtet i vogël nuk ka mundur t’u shpëtojë problemeve të mëdha që ka sjellë ky virus, derisa duket se më të prekurat janë klubet sportive e në veçanti futbolli, shkruan “Zeri.info”.

Ngjashëm ka pësuar edhe Hajvalia 2020, e cila u formua pikërisht në valën më të nxehtë të virusit.

Këngëtari i njohur Mehdin Përgjegjaj – Meda, i cili vendosi t’i kthehet futbollit kosovar pas sukseseve të mëdha që kishte me Hajvalinë, duke e formuar Hajvalinë 2020, ka rrëfyer për “Zeri.info” situatën nëpër të cilën po kalon skuadra e tij e re, derisa ka shprehur keqardhje për atë që u ndodhi Prishtinës e Dritës, ku u eliminuan nga garat ndërkombëtare pikërisht për shkak të koronavirusit.

“Ashtu si gjithçka në jetën tonë, edhe futbollin e ka prekur jashtëzakonisht shumë pandemia. Shikojeni vetëm dëmin që u është bërë Prishtinës dhe Dritës. Një vit investime, djersë, punë e madhe prej pronarëve, trajnerëve dhe vetë mundit të futbollistëve u hodh në ujë për shkak të pandemisë. Paramendojeni, për shumë futbollistë ka qenë ëndërr pjesëmarrja në garat evropiane. Mbase një rast i tillë nuk u vjen fare më disave”, ka thënë për “Zeri.info” presidenti i Hajvalisë 2020, Mehedin Përgjegjaj.Image

“Edhe klubin tonë e ka dëmtuar pandemia. Ne është dashur të kemi tashmë 1 muaj stërvitje dhe skuadrën thuajse të komponuar, por për shkak të situatës futbollistët kanë pushuar dhe trajnerët nuk kanë mundur të ndërtojnë skuadrën”, ka vlerësuar Meda, i cili gjithsesi konfirmon se ekipi tashmë është kompletuar dhe vetëm po e pret “dritën e gjelbër” nga institucionet për fillimin e stërvitjeve, në mënyrë që të bëhet gati për garat kampionate, ku Havjalia 2020 i nis garat në Ligën e Dytë.

“Sa i përket skuadrës, ajo tashmë është kompletuar. Priten edhe 2-3 prurje cilësore, mirëpo skuadra është e plotë. Kemi pasur mbi 50 futbollistë që kemi testuar për skuadrën e parë. Pas disa ditë testimesh stafi i trajnerëve ka zgjedhur më të mirët dhe me ta do të vazhdojmë. Por po jetojmë në një periudhë të pazakontë dhe duhet t’u adaptohemi rrethanave. Uroj që së pari të gjitha familjet në Kosovë dhe të gjithë ata që merren me sport të kalojnë sa më lehtë këtë periudhë në aspektin shëndetësor dhe pa humbje jete, me dëmet tjera do të merremi gradualisht”, ka përfunduar Mehedin Përgjegjaj.

Skuadrës Hajvalia 2020 aktualisht po i prin trajneri Asad Zuka. /Zeri.infoImage

\