Dardan Çaka paralajmëron padi për shpifje ndaj kryetarit të Flamurtarit, Imer Ademit
Gjyqtari perspektiv i futbollit vendor, Dardan Çaka, ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Flamurtarit, Imer Ademi, i cili tha se “Çaka ishte i korruptuar për sfidën ndaj Gjilanit”.
Gjyqtari vushtrrias ka paralajmëruar padi në Gjykatë për shpifje dhe fyerje.
Çaka ka deklaruar për gazetën se tani ka angazhuar ekipin ligjor që do të veprojë pas deklaratave të Ademit.
“Lidhur me deklaratën e kryetarit të klubit KF Flamurtari, dhe me kinse implikimin tim në vepra korruptive, e njoftoj opinionin publik se pretendimet e tilla janë tërësisht të pa verteta dhe pa bazë”, deklaroi Çaka për Gazetën Olle.
“Përmes këtyre deklaratave, kryetari Imer Ademi, ka provuar që mos suksesin e ekipit të tij, t’ia faturoj gjyqtarit, referimi i të cilit është vlerësuar pozitivisht gjithandej”.
“Në lidhje me këto shpifje dhe fyerje, ne jemi duke i ndërmarrë masat për të kërkuar nga gjykata ndalimin e publikimit te lajmeve te tilla të pa verteta. Nëse kryetari Ademi ka prova per implikimin tim në cfarëdo vepre korruptive, kërkoj që t’i publikoj në opinion sepse përndryshe do të ketë punë të arsyetohet në Gjykate”, shtoi Çaka.
Ndryshe, i pari i Flamurtarit, Imer Ademi, pretendon se skuadra e tij u dëmtua për dy penallti në takimin e djeshëm.
“Ështe marre ajo çka ndodhi. U pa qartë prej fillimit që Çaka ishte tendencioz, duke provokuar lojtarët tanë prej fillimit, si dhe shtabin teknik, derisa nuk akordoi dy penallti. Madje ai as që konsultohej me gjyqtarët tjerë për ato raste”, ka thënë Ademi gjatë ditës për gazetën.
“Më vjen keq që një gjyqtar me të ardhme korruptohet kaq herët. Me dëmtimet që na bëri ai tregoi se ishte i korruptuar”, shtoi Ademi.