
Agim Sopi i kundërpërgjigjet Naser Ramajt: Fajin kërkoje te vetja, u përballëm me bojkote dhe probleme të shumta
Kishte lënë Suedinë për të implementuar një projekt afatgjatë te Feronikeli të prezantuar nga Albert Bunjaki, ish-selektor i Kosovës. Por, aventura e Agim Sopit zgjati shumë pak te ish-kampionët e vendit. Për më tepër Sopi u ndje i tradhëtuar nga presidenca e klubit, i zhgënjyer nga futbolli kosovar dhe i pashpresë për të ardhmen.
Në një rrëfim ekskluziv për Gazetën “Sheshi”, tekniku me prejardhje nga Shkupi ka rrëfyer për të gjithë ndodhitë në kampin e “indistrualistëve”, duke vendosur kështu t’i kundërpërgjigjet deklaratave të presidentit të klubit, Naser Rama, i cili në një intervistë dhënë Gazetës “Zëri” ditë më parë deklaroi se gabuam në përzgjedhjen e trajnerëve, ndërkohë këta të fundit sollën futbollistë të dështuar.
“Kam ardhur në Kosovë për shkak të një projekti që më është prezantuar nga Albert Bunjaki, pasi që është mik i mirë i imi dhe kemi biseduar që të implementojmë atë projekt afatgjatë, i cili u bë i shkurtër qysh në ditët e para kur erdhëm aty, shkaku i ambicjeve të klubit për t’u shpallur kampion me nëntë pikë prapa liderit”, deklaroi fillimisht Sopi për Gazetën “Sheshi”.
Bojkoti i futbollistëve
Ardhja e Sopit në futbollin kosovar nuk ishte ashtu siç e kishte menduar, pasi që u përball me bojkot të futbollistëve qysh në seancën e parë stërvitore, shkaku i mos kryerjes së obligimeve nga ana e drejtuesve të klubit.
Sopi rrëfen për ato momente të vështira në ditët e para të punës, teksa tregon se si i kaloi ato së bashku me Albert Bunjakin.
“Qysh në seancën e parë stërvitore pas ndeshjes me Ballkanin (të humbur 0-2 në Drenas) futbollistët dolën në bojkot për shkak që presidenti i klubit disa i kishte dënuar me 60% të pagës, ndërsa disa të tjerë me nga 30% për shkak të dy ndeshjeve të humbura. Futbollistët nuk donin që të dilnin në stërvitje shkaku i mos kryerjes së obligimeve nga kryetari Ramaj nga edicioni i kaluar që u kishte premtuar dhe këtë gjë e dijnë të gjithë”, nis rrëfimin e tij Sopi.
“Bisedova me Albertin dhe i thashë që kjo nuk është në rregull, pasi që ne kemi ardhur të punojmë, ndërkohë futbollistët janë në bojkot për shkak të drejtuesve të klubit. Nuk mundesh të punosh me lojtarë të pakënaqur. Megjithatë, unë dua që t’i falenderoj futbollistët, pasi që janë treguar tejet profesionist dhe na kanë dëgjuar për t’u rikthyer në seancat stërvitore. Më pas kishim ndeshjen me Prishtinën në “Fadil Vokrri” të cilën e fituam me plot meritë (3-2)”, tregon Sopi.
Akuzave për afrimin e futbollistëve të dështuar Sopi i kundërpërgjigjet në mënyrë të prerë ish-presidentit të tij Naser Ramajt.
“Nuk e di se me çfarë baze ai (Naser Ramaj) flet për futbollistët aktual të klubit, kur të gjithë e dijmë që vijnë nga akademitë më të mëdha të Evropës. Ne kemi sjellë futbollistë të dëshmuar, me karakter dhe profesionalizëm. Por, ndonjëherë është më mirë ta shiqosh vetën dhe ta shohësh se ku qëndron problemi”, potencoi Sopi.
U shkarkuam shkaku i pagave dhe jo rezultateve
Në kumtesën për media të lëshuar nga ana e klubit u tha se ndërprerja e bashkëpunimit u bë në mënyrë të dyanshme dhe marrëveshja u ndëpre në mënyrë reciproke. Por, gjërat nuk po dalin të jenë ashtu.
Sopi tregon arsyen e vërtetë të largimit nga Feronikeli.
“Ne kishim ardhur për një projekt afatgjatë dhe është normale që rezultatet nuk mund të arrihen brenda natës dhe këtë e di shumë mire presidenti (Naser Ramaj). Sinqerisht nuk e kuptoj se përse ka folur me atë mllef ashtu. Por, unë dua që të ju garantoj që nuk ka qenë shkaku i rezultateve arsyeja e ndërprerjes së bashkëpunimit, por shkaku që ka dashur t’i kursejë disa para me largimin tim dhe të Albertit, pasi që titulli ishte i paaritshëm”, tregoi Sopi.
“Ne erdhëm për të zhvilluar një projekt përmes të cilit do të zhvillonim futboll cilësor dhe do të ngritej loja e Feronikelit. Lojtarët do të zhvilloheshin individualisht do të ju hapej rruga për të vazhduar në ligat më të forta evropiane dhe do t’i rrisnim gjasat që klui të merr pjesë në garat evropiane. Lojtarët që kemi sjellur kanë qenë të analizuar mirë dhe ata pikërisht do ta mundësonin zhvillimin e futbollit që ne e kërkonim si nga ana teknike, por edhe nga potenciali i tyre”, vazhdoi më tej ai.
Sopi thotë ndër të tjerash se klubi vendosi t’i largonte ata, pasi që e dinin se me ta në krye të stolit matematikat nuk do të ishin të mundura.
“Drejtuesit e klubit e kanë menduar shumë mirë këtë pjesë se me profesionistë si unë dhe Alberti (Bunjaki) nuk do të kishin mund t’i bëjnë gjithë këto humbje dhe matematika. Kush e di se çfarë do të ndodh edicionin tjetër pas këtyre matematikave”.
Ai thotë gjithashtu se nuk e paditën Ramajn shkaku i rrespektit të madh që patën për klubin, derisa kishin mundësi për ta bërë një gjë të tillë.
“Kontrata ime ishte një vjeçare me një mundësi tjetër për të vazhduar edhe për një vit. Ndërkohë, Alberti kishte kontratë dy vjeçare. Por, ne nuk kemi kërkuar kompensim për pagat tona, pavarësisht largimit. Kemi mundur ta padisim klubin, por nuk e bëmë këtë gjë dhe vendosëm të largoheshim pa kërkuar dëmshpërblim”, shtoi ndër të tjerash tekniku shkupjan.
"Pishman nuk i bie, por në Kosovë nuk rikthehem"
Sopi ishte këshilluar nga shumë miqtë e tij që të mos rikthehet në futbollin kosovar, por ai besoi në projektin që do ta zhvillonin te Feronikeli.
“Unë para se të vij në Kosovë të gjithë më kanë thënë a e di ku je duke shkuar dhe ju kam thënë se jam shumë i vetëdishëm për hapat që kam ndërmarrë. Kur erdha në Kosovë dëgjoja trajnerët dhe analistët nëpër studio televizive që thonin se trajnerët e huaj nuk e njohin ligën e Kosovës. Më falni zotërinj, por si qenka futbolli i Kosovës. Është po ai futboll, me rregulla të njejta si në gjithë Evropën. Por, tani duke parë këto ndeshjet e fundit, e kam kuptuar se për çfarë e kishin fjalën”, potencoi ai.
Futbollin kosovar ai e krahason me ligën e 11-të të Suedisë, derisa ka fjalë të mirë për njerëzit në Drenas, të cilët e pritën shumë mirë atë.
“Nuk i bie pishman që kam ardhur te Feronikeli, sepse kam marrë një përvojë të madhe dhe kam hasur në njerëz të mrekullueshëm. Në Drenas na kanë mirëpritur shumë mirë dhe kam bërë miq të rinj, me ç’rast dua që t’i falenderoj të gjithë”, deklarohet ndër të tjerash Sopi.
Ish-selektori i moshave U-21 të Maqedonisë së Veriut thotë se nuk do të rikthehet në futbollin kosovar, derisa nuk do të ndryshojë gjendja për të mirë.
Sopi thotë se është mëkat që në futbollin kosovar të ndodhin gjëra të tilla, pasi që beson se Kosova është Brazili i Ballkanit.
“Nuk ka asnjë shanse që të rikthehem më në Kosovë, të paktën jo në këto rrethana dhe në këto kushte sikurse është duke u zhvilluar tashmë futbolli atje. Unë erdha për të ndryshuar për të mire diçka në futbollin e Kosovës, por me atë që kam parë kam mbetur i zhgënjyer. Me zhagitje të lojës, me presione nga drejtuesit e klubeve dhe trajnerëve, thjesht jam zhgënjyer. Për nga cilësia mund të them që Kosova është Brazil i Ballkanit, mirëpo ata talentë po shuhen duke punuar në këto rrethana dhe në këtë realitet”.
Liga e Kosovës, më e korruptuara në Evropë
Sopi ka mbetur i befasuar për të keq me futbollin kosovar. Ai thotë se presioni i madh i klubeve në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe gjyqtarët e ndeshjeve ka bërë që niveli të ulët për fat të keq. Thotë se disa ndeshje nuk do t’i harrojë asnjëherë në jetë.
“Në Kosovës është liga më e korruptuar në Evropë. Klubet bëjnë presion të madh te gjyqtarët dhe Federatat, po flas për këtë pjesën se çfarë kam parë unë. Nuk do t’i harroj skenat e ndeshjeve nga stoli i kundërshtarëve. Presione të tilla nuk kam parë asnjëherë në karrierën time”.
Madje, ai ka edhe një pyetje për kolegët e tij në Kosovë, teksa thotë se disa nga ndeshjet e fundit në futbollin kosovar janë turp për t’u shikuar.
“Nuk e di se si gëzohen disa trajnerë me fitore të tilla se çfarë po i arrijnë tash. Ata e dijnë shumë mirë se si i kanë fituar ato ndeshje dhe si mund t’u flasin futbollistëve, kur e dijnë se si kanë fituar. Personalisht nuk do të qëndroja as pesë minuta në ato situate, nëse veçse do më kishte kërkuar dikush diçka tjetër përpos fitores. Është marre e madhe se çfarë po ndodh në futbollin kosovar”, theksoi Sopi.
Pasojat e këtyre ndeshjeve po shihen në arenën ndërkombëtare, derisa potencon se në forma të tilla futbolli kosovar nuk mund të shkojë përpara.
“Merreni dhe shiqoni secilën skuadër që është bërë kampion dhe si është bërë. Po shihen rezultatet në arenën ndërkombëtare. Po humbasin nga skuadrat amatore të Gjilbraltarit dhe Ishujve Faraoe. Futbolli i Kosovës duhet të ndryshojë një ditë, nuk shkohet kështu përpara”, përfundoi Sopi.