Naser Ramaj: Tovërlani është i duhuri, më parë dështuam me zgjedhjen e trajnerëve e që sollën përforcime të gabuara
Njëra nga skuadrat që bëri më së shumti investime në këtë edicion në elitën e futbollin kosovar pa dyshim se ishte Feronikeli.
Skuadra nga Drenasi hyri në gara me synime ta mbrojë titullin e kampionit të fituar edicionin e kaluar, derisa presidenti Naser Ramaj bëri shumë investime, duke sjellë përveç lojtarë të huaj, edhe trajner nga jashtë.
Si fillim e nisi Dejan Vukiçeviç nga Mali i Zi e pas dështimit të ti, erdhi nga Suedia shqiptari nga Maqedonia e Veriut, Agim Sopi, derisa si këshilltar të tij e angazhoi ish-trajnerin e Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki.
Fatin e Vukiçeviqit e patën edhe Sopi e Bunjaki, për t’u angazhuar më pas Afrim Tovërlani, i cili e duket se ka vendosur ekipin në “binarë”.
Ramaj në një bisedë për “Zeri.info” rrëfehet për të gjitha.
“Ne kemi bërë investime të mëdha këtë edicion dhe i kemi pasur objektivat e qarta, por ndoshta fati nuk ishte në anën tonë”, ka thënë fillimisht Ramaj.
“Në fillim të kampionatit sollëm një trajner të huaj e pastaj edhe me vendorët provuam, por që fati nuk e deshi. Shkak i mosrezultateve ishte ndoshta edhe lodhja e lojtarëve gjatë fazës preliminare të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës, po ashtu ne kishim edhe një ndeshje miqësore pak ditë para fillimit të kampionatit m e Milanin, kjo ishte njëra ndër arsyet e lodhjes së ekipit”, deklaroi Rama, duke folur më pas edhe për disa vendime të gabuara që kanë marrë.
“Arsye tjetër e dështimit qenë zgjedhja e gabuar e disa trajnerëve. Shkaku tjetër ishte edhe përzgjedhja e disa lojtarëve si përforcime e të cilat ishin të gabuara, por ato ishin propozime të trajnerëve”, ka shtuar numri një i “Niklit”, duke shpalosur me pas objektivat që ka në të ardhmen me Feronikelin.
“Nëse gjërat shkojnë si duhet mendoj se sezonin e ardhshëm do të bëjmë më mirë. Sa i përket trajnerit Afrim Tovërlani, jemi dakorduar që të vazhdojmë edhe sezonin e ardhshëm”, ka përfunduar Naser Ramaj.
Feronikeli tri javë pa u mbyllur kampionati ndodhet i pesti, me 44 pikë.
Drenicasit janë jashtë garës për titull, por edhe vendit të dytë që dërgon në Kupat e Evropës, derisa më herët është eliminuar edhe nga Digitalb Kupa e Kosovës, ku u eliminua nga Ballkani. /Zeri.info