Mediet shqiptare: Presidenti i Tiranës ishte në ndeshjen Prishtina – Drita për këta dy futbollistë

Mediet shqiptare: Presidenti i Tiranës ishte në ndeshjen Prishtina – Drita për këta dy futbollistë

Sport July 14, 2020 - 12:08
Detajet

Zbulohet qëllimi i vizitës së presidentit Refik Halili në kryeqytetin e Kosovës. Numri një i bardhebluve të dielën ishte i pranishëm në sfidën Prishtina-Drita, i shoqëruar nga Tefik Osmani, i cili është një nga lojtarët bardheblu, Halili ka ndjekur sfidën e kampionatit kosovar, por qëllimi ka qenë më shumë se një kënaqësi apo drekë mes miqsh. Bardheblutë duan të afrojnë dy lojtarë të Prishtinës, nga më të mirët në kampionatin kosovar. Bëhet fjalë për portierin Visar Bekaj dhe për mbrojtësin e djathtë, Armend Thaqi. Dy lojtarë që prej kohësh janë në orbitën e kampionatit shqiptar, shkruan gazeta Panorama.

Bekaj – Portieri i Prishtinës është një nga ata me të ardhme të ndritur. Lojtar i U-21-shit të Kosovës, por edhe i Kombëtares A, Bekaj këtë sezon është titullar i padiskutueshëm te Prishtina. Ka luajtur 32 takime, por fatkeqësisht nuk ka qenë në fushë në sfidën me Dritën, sepse ishte i pezulluar për shkak kartonësh. Gjithsesi, lojtari është një nga investimet më të sigurta për portën bardheblu, gjithmonë nëse arrihet marrëveshja. Vlera e kartonit është 275 mijë euro, një shifër goxha e madhe për financat e Tiranës. Gjithsesi, investimi ia vlen, ndërkohë që Bekaj ka luajtur gjithmonë për Prishtinën, si dhe ka ende një vit kontratë.

Image

Thaqi – Armend Thaqi shihet nga bardheblutë si një zëvendësues ideal i Albi Dokës. Kontrata e tij me Prishtinën, sipas “Transfermarkt” ka përfunduar dhe lojtari mund të transferohet në kampionatin shqiptar. Është 27 vjeç dhe këtë sezon, përveçse ka luajtur të gjitha ndeshjet në Superligën e Kosovës, ka shënuar 5 gola, duke dhënë edhe tri asiste. Një lojtar që mund t’u vlejë bardhebluve, sepse djathtas tani janë të zbuluar. Shkurt, një lojtar i kompletuar. Lojtari është edhe kapiteni i skuadrës së Prishtinës.

Image

Refik Halili pas ndeshjes ka folur për “Zeri.info”.

“Kam disa miq këtu në Prishtinës, kështu që edhe shfrytëzova rastin edhe ta ndjek ndeshjen. Gjithsesi, ne tifozët e Tiranës jemi edhe tifozët e Prishtinës kështu që u ndjeva mirë këtu”, ka thënë fillimisht Halili, duke treguar më pas nëse kishte etiketuar ndonjë lojtar sot apo jo.

“E kam ndjekur herë pas herë Prishtinën, por sa i përket interesimit të ndonjë lojtari tash për tash nuk mund t’ju them asgjë, gjithsesi do t;ju njoftojmë me kohë”, ka shtuar numri një i skuadrës nga kryeqyteti i Shqipërisë, duke i bërë më pas edhe një vlerësim nivelit të futbollit në Kosovë. /Zeri.info

Image