Zyrtare: Qendërmbrojtësi që është përballur me Cristiano Ronaldon, e vazhdon kontratën me klubin kosovar
Qendërmbrojtësi me përvojë të madhe në futbollin kosovar, Liridon Kukaj e ka vazhduar kontratën edhe për një vit me skuadrën e KEK-ut.
37-vjeçari i cili ka luajtur për disa skuadra në Kosovë, por edhe në Shqipëri, do ta vazhdojë karrierën te klubi nga Obiliqi, shkruan "Zeri.info".
Lajmin në fjalë e ka konfirmuar vetë klubi që garon në Ligën e Parë përmes rrjetit social "Facebook".
Ndërkaq, Kukaj pas nënshkrimit të kontratës, deklaroi për faqen zyrtare të klubit:
"Me dëshirë të madhe kam pranuar të vazhdoj edhe një vit me FC KEK-un. Ajo çfarë më ka bërë të vazhdoj është natyrisht koha që po kaloj me këta djem të ri e të talentuar që FC KEK ka në radhët e veta, por gjithashtu edhe programi i klubit për këtë vit më ka bindur që të vazhdoj".
Ndryshe, Kukaj ishte pjesë e klubit shqiptar, Gramozi, në kohën, kur kjo skuadër ishte përballur në një ndeshje miqësore me Real Madridin. /Zeri.info