Shala kundër skuadrës së vendlindjes: Më vjen keq për Vushtrrinë, por dua fitore me Flamurtarin

Sport July 02, 2020 - 12:26
Lajmet e fundit nga sporti

Sulmuesi i Flamurtarit, Bashkim Shala, të premten do të marrë rrugë drejt vendlindjes së tij Vushtrrisë, me një mision aspak të mirë për të, shkruan “Zeri.info”.

Ai së bashku me pjesën tjetër të skuadrës së Flamurtarit do të ndeshet me Vushtrrinë, me synime për të marrë fitore dhe në këtë mënyrë të bëjë një hap të sigurt drejt mbijetesës në elitë, derisa Vushtrria tashmë veç është përshëndetur me shoqërinë elite.

Shala në një bisedë për “Zeri.info” ka thënë se i vjen keq për Vushtrrinë që është në këtë situatë, por ai tash e ka mendjen vetëm të Flamurtari dhe beson se do të arrijnë fitore në mënyrë që të vazhdojnë luftën për ekzistencë.

“Është një ndeshje e veçantë për mua, pasi luaj kundër klubit tim vendlindjes”, ka thënë Shala për “Zeri.info”, i cili e pranon se këtë herë do të japë gjithçka për fitoren e Flamurtarit, pasi pikët kanë rëndësi shumë të madhe.

“Nesër ndeshja ka rëndësi shumë të madhe. Ne nga ky takim duam t’i marrim pikët e plota që të vazhdojmë drejt synimeve që i kemi për mbetje në Superligë”, ka vlerësuar sulmuesi vushtrrias, sipas të cilit, pavarësisht situatës në të cilën gjendet Vushtrria, assesi nuk duhet të merret si ndeshje e lehtë.

“Vushtrria po kalon në një situatë jo të mirë, por assesi nuk duhet të nënçmohet. Nëse duam fitore duhet angazhim maksimal”, ka përfunduar Bashkim Shala.

Ndeshja Vushtrria - Flamurtari luhet të premten, me fillim në orën 17:00. /Zeri.info

Image