Naser Ramaj: Nuk na bind asnjëri nga kandidatët e përfolur në media për kryetar të FFK-së

Sport June 16, 2020 - 22:44
Zbuloni detajet

Federata e Futbollit e Kosovës pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme për shkak të dënimit me burg efektiv prej nëntë muajve nga Gjykata Apelit në Prishtinë të presidentit aktual, Agim Ademi.

Njeriu i parë i futbollit kosovar është dënuar me burgim efektiv për “Detyrim në tentativë” për një rast jashtë futbollit, i ndodhur në vitin 2012. Kundër këtij vendimi Agim Ademi është ankuar edhe në Gjykatën Supreme.

Ademi duhet të paraqitet në Shërbimin Korrektues të Kosovës me qendër në Prishtinë deri më 18 qershor, në orën 12:00.

FFK-ja më pas duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme nëse nuk ka ndonjë vendim të ri për rastin “Ademi”.

Zgjedhjet duhet të shpallen brenda një muaji.

Kujtojmë se në të kaluarën nuk kishte më shumë se një kandidat për president të FFK-së.

Në vitin 2012 dhe 2016 ish-presidenti Fadil Vokrri kishte kandiduar i vetëm, sikurse edhe Agim Ademi, që e trashëgoi postin e Vokrrit pas vdekjes së tij.

Presidenti i Feronikelit, Naser Ramaj, ka deklaruar për RTK se në klubin e tij nuk po mendojë për zgjedhje në FFK.

Ai ka zbuluar se edhe te "Nikli" ka kërkesa për mbledhje të nënshkrimeve. "Kemi pas edhe ne aso kërkesa, po megjithatë ende nuk kemi vendosur asgjë. Ne po presim një vendim definitiv nga të gjitha klubet dhe në rast se paraqitet nevoja për kërkesa të reja ne do të marrim pjesë, por nuk i bashkangjitemi asnjërit që është përfolur në media. Mendimi im është se nuk i meritojnë ato pozita. Në rast se vjen deri te zgjedhje e reja, do të ketë ndryshime të shumta në Federatë", ka deklaruar Naser Ramaj për, përcjell Zeri.info.

Deri më tash në media janë përfolur emrat e Eroll Salihut, Arianit Ahmetit për kandidatë të mundshëm për kryetar. /Zeri.info