Gashi: Orari është i ngjeshur, futbolli nuk do të jetë cilësor

Gashi: Orari është i ngjeshur, futbolli nuk do të jetë cilësor

Sport June 01, 2020 - 23:32

Pas një pauze prej më shumë se dy muaj shkaku i pandemisë Covid-19, skuadrat elitare do t'i rikthehen fushës së gjelbër këtë javë, me një orar më të ngjeshur si asnjëherë më parë.

Derisa Federata e Futbollit të Kosovës anuloi garat tjera të futbollit vendosur, Superliga do të vazhdojë, poashtu edhe Kupa e Kosovës, raporton "Zeri.info".

Nesër luhet ndeshja e parë pas pauzës me pandemi, ku në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, përballen FC Prishtina dhe Drenica, të mërkurën luajnë Ballkani dhe Feronikeli, kurse në fundjavë rinis edicioni në Superligë.

Image

Afati i vendosur nga UEFA në drejtim të FFK-së për mbylljen e këtij edicioni është 20 korriku, që i bie se është një periudhë prej më shumë se një muaj e gjysmë ku skuadrat elitare kosovare do të duhet t'i mbyllin garat.

Natyrisht, kjo skuadrat do të detyrohen të luajnë me një orar të ngjeshur të ndeshjeve, gjë e cila mund të jetë problematike dhe mund të lë pasoja në gjendjen fizike të futbollistëve që luajnë në Kosovë.

Mesfushori i Ballkanit, Kushtrim Gashi ishte njëri prej futbollistëve më të mirë të "Xhebrailave" këtë edicion nën komandën e trajnerit Ismet Munishi.

Image

Gashi i cili e synon titullin kampion me Ballkanin këtë edicion, mendon se në xhiron e pestë pas rikthimit të futbollit, skuadrat "do të kapin ritmin e duhur".

"Futbolli është rikthyer, por unë mendoj që nuk do të jetë shumë cilësor sikur ishte më parë pasi që orari do të jetë shumë i ngjeshur. Duhet pritur deri në xhiron e pestë që skuadrat ta kapin ritmin e duhur dhe përgatitjen e duhur fizike", u shpreh Kushtrim Gashi për "Zeri.info".

Gashi mendon se "rregulli" i ri që ua lejon skuadrave të kryejnë pesë zëvendësime në një ndeshje, do të jetë sado pak një ndihmë në këtë periudhë.

"Do të kemi ndeshje çdo tre ditë, ngarkesat do të jenë të pranishme te secila skuadër, por shpresoj që të mos ketë lëndime të rënda për asnjë futbollistë. Mendoj që kjo do të përballet sado pak me mundësinë e pesë zëvendësimeve dhe me rotacionet e trajnerëve nga ndeshja në ndeshje", theksoi mesfushori i liderit të Superligës së Kosovës. /Zeri.info