Ndërron jetë presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës, Hasani me telegram ngushëllimi

Ndërron jetë presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës, Hasani me telegram ngushëllimi

Sport June 01, 2020 - 23:05

Bota e sportit ka marrë një lajm të hidhur sot, pasi presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës (EOC), ka vdekur në moshën 78-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë.

Slloveni Kocijançiq ishte pjesë e EOC-ut prej vitit 2005, duke qenë në fillim anëtar i Bordit Ekzekutiv, kurse prej vitit 2013-2016 ishte nënpresident i EOC-ut, përcjell "Zeri.info"

Një vit më vonë (2017), ai u zgjodh president i Komitetit Olimpik të Evropës.

Lëvizja Olimpike në Kosovë, konkretisht Komiteti Olimpik i Kosovës, do ta kujtojë gjatë Kocijançiqin, i cili njihej si mik i madh i sportit tonë, një mbështetës i pakursyer në procesin e anëtarësimit të KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe atë të Evropës.

Lajmi i marrë nga sekretari i përgjithshëm i EOC-ut, Raffaele Pagnozi, për vdekjen e presidentit Kocijançiq ishte trishtues, pasi ai njihej si motor i Komitetit Olimpik të Evropës dhe vullnetin e madh që kishte për të mbajtur të bashkuar Lëvizjen Olimpike të Evropës.

“Presidentin Kocijançiq e njoha prej vitesh, kur ishte edhe president i Komitetit Olimpik të Sllovenisë, ndërsa ishte një mik i madh i imi, në kohën kur nuk ishim anëtar i EOC-ut dhe IOC-ut, dhe po ashtu një përkrahës i madh i pjesëmarrjes së ekipit Olimpik të Kosovës në Lojërat Evropiane, të cilat mbaheshin në shtetet që nuk e njihnin Pavarësinë e vendit tonë”, ka thënë Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës.

“Në emër të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe gjithë Lëvizjes Olimpike në Kosovë, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta, familjes së tij, Komitetit Olimpik të Evropës, Komitetit Olimpik të Sllovenisë,  miqve dhe gjithë dashamirësve të sportit”, ka thënë më tej ai. /Zeri.info