'Profa': Rëndësi ka vazhdimi i kampionatit, testimet për koronavirus kushtojnë mesatarisht 250 apo 300 euro

'Profa': Rëndësi ka vazhdimi i kampionatit, testimet për koronavirus kushtojnë mesatarisht 250 apo 300 euro

Sport May 24, 2020 - 22:52

Futbolli i Kosovës ka marrë 'dritën jeshile' për t'u rikthyer në tapetin e gjelbër nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë.

Skuadrat elitare kosovare tashmë ka nisur të stërviten, derisa ndeshjet kampionale rikthehen më 7 qershor, kurse ato të Kupës më 2 dhe 3 qershor, raporton Zëri.info.

Nga ana tjetër, ka shumë debat në opinionin sportiv në Kosovë pas rastit të parë me COVID-19 në Superligën e Kosovës, te skuadra e Dritës, në lidhje me atë nëse mund të vazhdojë kampionati.

Ka pasur shumë prej tyre që u shprehën kundër rinisjes së kampionatit për shkak të kushteve të dobëta, ndër të to edhe klubet si Ballkani, Drita, Flamurtari dhe Vushtrria.

Trajneri i mirënjohur kosovar, Bylbyl Sokoli ka thënë se e ka pritur rinisjen e edicionit aktual.

"Unë kam pritur që kampionati të rinis pasi është numër i vogël i shteteve që kanë mbyllur garat. Kam qenë optimist se do të rinis kampionati, por me disa dilema", ka thënë Sokoli në 'Dueli Sportiv', përcjell Zëri.info.

"I kam shikuar edhe çmimet e testimeve për COVID-19 që kushton mesatarisht 250 apo 300 euro. Pas krejt kësaj që ndodhi, dhe që krejt futbollistët të testohen, kam pritur një kampionat që do të ketë rivalitet të madh", tregon më tej ish-trajneri i FC Prishtinës.

"Jam optimist se tabela do të përcaktohet në fushë, kjo ka rëndësi", shtoi 'Profa'. /Zëri.info