Klubet e Ligës së Parë nuk ndihen të anashkaluara, mirëkuptojnë FFK-në dhe shpresojnë të vazhdojë kampionati

Klubet e Ligës së Parë nuk ndihen të anashkaluara, mirëkuptojnë FFK-në dhe shpresojnë të vazhdojë kampionati

Sport May 20, 2020 - 22:54

Derisa skuadrat e Superligës së Kosovës kanë marrë dritën 'jeshile' për t'u rikthyer në stërvitje grupore dhe t'i kthehen futbollit më 7 qershor, ende nuk dihet fati i Ligës së Parë pasi autoritetet nuk kanë marrë ndonjë vendim për garat tjera përveç elitës. Besnik Gojani nga Vëllaznimi, Besnik Mjeku nga KEK-u, Sami Sermaxhaj nga Ulpiana dhe Robert Gjeraj nga Liria, ndonëse nuk ndihen të anashkaluar, ata shpresojnë që të vazhdojnë garat së shpejti edhe në Ligën e Parë

Image

Skuadrat e Superligës së Kosovës në futboll janë rikthyer në stërvitje grupore pas lejes së dhënë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, por duke udhëzuar klubet që të respektojnë masat kundër pandemisë me koronavirus.

Kanë kaluar më shumë se dy muaj që prej kur futbolli në vendin tonë, ashtu si edhe në vendet tjera të botës, është pezulluar shkaku i pandemisë, derisa nga fillimi i muajit të ardhshëm, futbollistët do të rikthehen në fushat e gjelbra, raporton Zëri.info.

Saktësisht, skuadrat e Superligës së Kosovës më 7 qershor do t'i rikthehen ndeshje kampionale, teksa ndeshjet e Kupës së Kosovës do të zhvillohen më 2 dhe 3 qershor.

Ndërkaq, futbolli në rangjet më ulta, sikur në Ligën e Parë, Ligën e Dytë apo edhe futbolli i femrave ende nuk ka marrë ndonjë vendim përgjigjje se kur mund t'i rikthehet stërvitjeve grupore për t'u përgatitur për vazhdimin e kampionatit.

Klubet që garojnë në Ligën e Parë janë me traditë të madhe si Vëllaznimi, Besa, Liria dhe Trepça, andaj të gjitha këto skuadra shpresojnë në rinisjen e edicionit për të shpresuar në realizimin e objektivave të tyre këtë edicion.

Besnik Gojani, menaxher i klubit të Vëllaznimit, Besnik Mjeku, president i KEK-ut, Sami Sermaxhaj, trajner i Ulpianës dhe Robert Gjeraj, futbollist i Lirisë së Prizrenit për Zëri.info kanë thënë se nuk ndihen të anashkaluar nga vendimi për të mos nisur Liga e Parë tani, derisa presin që ky nivel i garave ta vazhdojë edicionin sikurse Superliga.

Gojani: E kuptojmë FFK-në, nuk ndihemi të anashkaluar

Menaxheri i klubit me traditë të madhe në futbollin e Kosovës, Vëllaznimi, Besnik Gojani në një bisedë me Zëri.info ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit.

Ai ka thënë se klubi i Vëllaznimit nuk ndihet i anashkaluar nga vendimi i fundit për të nisur vetëm Superliga, teksa shprehet se e mirëkupton FFK-në.

Image

"Nuk e ndjejmë veten të anashkaluar nga FFK-ja duke e kuptuar situatën me pandemi e cila nuk ka ndodhur më parë. FFK-ja nuk është sikur Federata gjermane, dhe e kanë pasur problem fillimin e futbollit, por besoj se shumë shpejt do të merret vendim edhe për Ligën e Parë duke e ditur se këtu ka klube edhe më të vjetra se në elitë", u shpreh fillimisht Gojani.

Tutje, menaxheri i klubit të madh gjakovar ka treguar se futbollistët kanë nisur me stërvitje, derisa thotë se gjendja financiare është e rënduar.

"Futbollistët po stërviten individualisht dhe i respektojmë vendimet. Nuk marrim ndonjë angazhim për të stërvitur në grup. Ne jemi të gatshëm. Gjendja financiare është e rënduar, por ne synojmë mbetjen në Ligën e Parë, dhe më pas klubi do të privatizohet për t'i dhënë fund problemeve financiare", theksoi Besnik Gojani.

Kërkesa e Besnik Mjekut

Presidenti i KEK-ut, Besnik Mjeku ka treguar se tash për tash do të rinis vetëm Superliga shkaku i datave të kufizuara nga, UEFA, derisa thotë se klubi i tij do ta respektojë çdo vendim të FFK-së.

"Personalisht mendoj se nuk jemi anashkaluar. Unë mendoj se FFK-ja e ka bërë këtë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë vetëm për Superligën pasi elita i ka datat e kufizuara për ta mbyllur më herët kampionatin pasi skuadrat duhet të dalin në Evropë. Ndërkaq, mendoj se Liga e Parë do të rikthehet në stërvitje më 2 qershor, kurse do ta vazhdojë kampionatin më 14 ose 20 qershor. Ne si klub respektojmë çdo vendim të FFK-së", ka thënë Besnik Mjeku.

Image

Tutje, Mjeku duke parë gjendjen e rënduar financiare në klubin e tij shkaku i pandemisë, ka kërkuar mbështetje nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës.

"Si kryetar i KEK-ut, besoj 100 përqind te FFK-ja dhe te kryetari Agim Ademi. Kam një kërkesë që nëse nuk e vazhdojmë kampionatin, FFK të na mbështet me mjete financiare pasi është e vështirë për lojtarët që në këtë kohë nuk paguhen. Dhe i bie që nuk do të paguhen deri në gusht kur edhe nis edicioni i ri", përfundoi i pari i 'Elektricistëve'.

"Të rinisin sa më shpejt ndeshjet e Ligës së Parë"

Trajneri i mirënjohur kosovar, Sami Sermaxhaj, i cili aktualisht drejton skuadrën lipjanase, Ulpiana e ka mirëpritur vendimin e vazhdimit të edicionit në Superligën e Kosovës.

Në një bisedë me Zëri.info, ish-trajneri i Ballkanit ka thënë se çdo vendim duhet të merret duke ruajtur shëndetin e futbollistëve.

"Shëndeti është mbi të gjitha dhe çdo vendim duhet të jetë në shërbim të ruajtjes së shëndetit. Bazuar në këtë kontekst, mendoj se vendimet, federata jonë duhet t'i marrë duke i harmonizuar me UEFA-n, IKSHP-në si dhe duke marrë model shtetet tjera sikur në Gjermani, ku kanë nisur garat në Bundesliga 1 dhe 2, por jo edhe në nivele tjera", tha Sermaxhaj.

Image

Tutje, ai tha se vendimi për të rinisur edicionin në Superligën e Kosovës është për t'u përshëndetur.

"Personalisht përshëndes vazhdimin e garave të Superligës dhe njëkohësisht inkurajoj marrjen e një vendimi sa më të shpejt për vazhdimin e garave edhe në Ligën e Parë dhe në nivelet tjera", përfundoi të mërkurën Sami Sermaxhaj.

Gjeraj i lumtur me vazhdimin e futbollit

Njëri prej futbollistëve më me përvojë në futbollin e Kosovës, i cili aktivizohet te Liria e Prizrenit, Robert Gjeraj ka shprehur gëzimin e tij për vazhdimin e futbollit, ani pse fillimisht vetëm në elitë, dhe jo në Ligën e Parë, ku ai luan.

"Jam shumë i lumtur që është marrë vendimi për rifllimin e futbollit pasi u dëshmua se jo vetëm futbolli, por edhe sportet tjera janë e vetmja mënyrë për të parandaluar virusin. Por, unë shpresoj se edhe Liga e Parë të fillojë pasi s'ka kuptim Superliga pa Ligën e Parë", tha Gjeraj për Zëri.info, duke treguar më pas pse edhe Liga e Parë duhet të vazhdojë garat:

"Ka shumë skuadra me traditë që i duhen edhe Superligës, por për shumë arsye janë në Ligën e Parë. Nuk ndihemi të anashkaluar, por kam besim se FFK-ja do të na mundësojë edhe ne të vazhdojmë pasi edhe ne mbajmë familje dhe varemi nga futbolli. Nëse nuk vazhdon. atëherë mbesim në rrugë. Shpresoj se kjo do të jetë në ndërgjegjjen e atyre që vendosin". /Zëri.info

Image