Situata e rëndë financiare, Agim Ademi ka një premtim për gjyqtarët kosovarë

Situata e rëndë financiare, Agim Ademi ka një premtim për gjyqtarët kosovarë

Sport March 31, 2020 - 15:30

Ndonëse janë njerëzit më të kritikuar në futbollin e Kosovës, gjyqtarët kosovarë janë duke kaluar nëpër periudhë tejet të vështirë si pasojë e krizës globale të quajtur koronavirus, e cila tashmë ka sjellur pasoja edhe në vendin tonë.

Deri më tash janë infektuar 108 persona në Kosovë, gjë e cila ka bërë që të pezullohet futbolli si dhe ngajarjet tjera sportive, raporton Zëri.info.

Drejtuesit e klubeve dhe futbollistëve janë në 'hall' dhe çdo ditë po shprehin shqetësimet e tyre për shkak se ky pezullim i aktiviteteve ka bërë që të ndihet sado pak kriza financiare, që më së shumti mund t'i dëmtojë futbollistët që luajnë në vendin tonë.

Megjithatë, askush nuk po flet për gjyqtarët kosovarë, të cilët paguhen vetëm kur ndajnë drejtësinë në ndonjë ndeshje dhe në këtë periudhë kur ata nuk po e kryejnë punën e tyre, nuk e marrin asnjë qindarkë në formë të mbështetjes.

Shqetësues është fakti se gjyqtarët kosovarë nuk kanë kontrata me Federatën e Futbollit të Kosovës, pra nuk paguhen me paga mujore, por vetëm me mëditje sa herë që referojnë ndeshjet kampionale apo ato të Kupës së Kosovës.

Për të qenë korrekt, një gjyqtar kryesor në vendin tonë paguhet 200 euro për një ndeshje, 150 euro i takojnë anësorëve dhe 100 euro gjyqtarit të katërt.

Por, ky pezullim i futbollit i ka gjetur në një periudhë mjaft të vështirë gjyqtarët kosovarë, për të cilët duket se nuk po interesohet askush.

Zëri.info ka kontaktuar me dy prej gjyqtarëve kosovarë që ndajnë drejtësinë në ndeshjet e futbollit kosovar, për të kuptuar situatën e tyre, e cila po del të jetë mjaft e vështirë.

Gjithashtu, Zëri.info ka kontaktuar edhe gjyqtarin e mirënjohur kosovar, Bekim Zogaj, i cili profesionin e tij prej gjyqtari e ushtron në Zvicër.

Zogaj në mes të tjerash ka thënë se paguhet në baza mujore në Zvicër, pasi ka kontratë profesionale, një praktikë e cila nuk gjen implementim në futbollin kosovar.

Nga ana tjetër, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi nuk mendon t'i lë anash as gjyqtarët kosovarë.

Ai ka thënë se është duke pritur mjetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, teksa shpreson edhe në fonde nga UEFA, nga të cilat thotë se do të ndajë një pjesë edhe për gjyqtarët.

"Ne jemi duke i pritur mjetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, derisa shpresojmë edhe në fonde nga UEFA. Por, që ende nuk e dimë shumën e saktë. Brenda mundësive, ne do të mundohemi që të mos i lëmë anash as gjyqtarët në këtë periudhë tejet të vështirë", ka thënë Agim Ademi për Zëri.info.