
Vazhdojnë hetimet për menaxherin shqiptar të futbollit, zbulohet shuma marramendëse që ai e fshehu nga autoritetet spanjolle
Fali Ramadani e ka gjetur veten në qendër të një skandali për evazion fiskal në Spanjë dhe të dielën autoritetet hetuese në vendin e tij kontrolluan shtëpinë e tij në Mallorca për disa prova.
Në fillim të kësaj jave, dolën edhe informacione ku Ramadani dyshohet se ka shmangur rreth 100 milionë euro tatime, shkruan Zëri.info.
Garda Civile spanjolle ka kontrolluar dokumentet e tij për disa orë, derisa edhe Europoli, Zyra e Taksave dhe ekipi i krimit të organizuar janë përfshirë në hetimin në fjalë.
Transferimet e dyshimta sjellin në pah një shumë të diskutueshme prej 100 milionë euro.
“Ramadani drejtoi biznesin e tij përmes agjencisë sportive ‘Lian’ në Mallorca prej vitit 2014, edhe pse nuk e ka njoftuar zyrtarisht. Ai ka qenë përgjegjës për transferimet e disa futbollistëve”, raporton ‘Ultimahora.es’.
Mediumi në fjalë ka hedhur dyshime edhe për transferimin e Tofolo Montiel nga Mallorca në Fiorentina për dy milionë euro./Zëri.info