Ramushi: Te Gjilani është organizimi perfekt, për rezultatet përgjegjësinë e ka trajneri

Ramushi: Te Gjilani është organizimi perfekt, për rezultatet përgjegjësinë e ka trajneri

Sport February 16, 2020 - 22:52
Ekipi i Gentjan Mezanit fillimisht u eliminua nga Kupa kur u mposht nga Gjilani me rezultat 2:0, ndërsa në start të stinorit pranveror e humbi derbin përballë rivalit të përbetuar Dritës me rezultat 2:0

Gjilani e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme stinorin pranveror në futbollin kosovar.

Skuadra nga Anamorava që njihet për investimet e mëdha që ka bërë në dy afatet kalimtare nuk e ka nisur ashtu siç ka prirur vitin 2020, shkruan Zëri.info.

Ekipi i Gentjan Mezanit fillimisht u eliminua nga Kupa kur u mposht nga Drenica me rezultat 2:0, ndërsa në start të stinorit pranveror e humbi derbin përballë rivalit të përbetuar Dritës me rezultat 2:0.

Ish-futbollisti i Gjilanit Ismet Ramushi që në karrierë ka veshur edhe fanellën e Dritës, e sheh si dështim Gjilanin në këto dy ndeshje derisa ka thënë se Drita e meritoi të fitojë sot.

"Në bazë të lojës për 90 minuta, them se Drita e ka merituar fitoren, por gjithsesi në pjesën e parë Gjilani shumë lehtë ka mundur të fitojë, por ligji i futbollit thot kur nuk jep merr. Në këtë situatë, Drita nga tri raste i realizoi dy gola, derisa Gjilani nga 4-5 raste nuk shënoi asnjëherë’, ka thënë për Zëri.info, Ismet Ramushi.

"Drita e shfrytëzoi presionin e Gjilanit që u eliminua nga Kupa. Gjilani në këto tri vitet e fundit ka bërë investime ku për çdo stinor ka bërë 6-7 blerje të forta, por që po e kanë problem për t'u përshtatur në ekip dhe them se në këtë aspekt Gjilani po qalon. Pas eliminimit nga Kupa, Gjilani, fokusin do ta ketë për dy vendet e para që dërgojnë në Evropë, mirëpo edhe këtu do të ketë shumë problem pasi ka shumë lojtarë të lënduar", vlerësoi Ramushi i cili e pranon se trajneri Gentjan Mezani është në presion.

"Për çdo mos sukses të klubit, trajneri ka përgjegjësi. Te Gjilani sa i përket organizimit të klubit asnjë problem nuk ekziston, vetëm rezultatet po mungojnë dhe këtë duhet ta zgjedh shtabi teknik", ka përfunduar Ismet Ramushi. /Zëri.info