'Aksidenti' i Ilda Bejlerit, flet dëshmitari që njoftoi ambulancën pasi gruaja ra përtokë
Ditën e mërkurë në media u përfol se Ilda Bejleri ishte përfshirë në një aksident. Konkretisht në media u shkrua se moderatorja kishte aksidentuar një grua. Por menjëherë ajo dha versionin e saj si në polici ashtu edhe në media, duke thënë se nuk e kishte prekur me makinë gruan.
Ndërkaq të shumtë kanë qenë ata që e kanë parë ngjarjen nga afër. Një dëshmitar okular i incidentit ka pranuar të japë detaje rreth asaj që ka parë në vendin e ngjarjes. Shtetasi N.H ka rrëfyer se çfarë pa në kryqëzim në momentin që shtetasja Enriketa Gjuzi u shtri në tokë. Kemi vendosur vetëm inicialet e dëshmitarit, pasi ai me detaje ka folur për organet e drejtësisë për ngjarjen përpara organeve të drejtësisë.
Isha në kryqëzim, duke pritur të hapej semafori. Në moment që u hap semafori jeshil për makinat, shikoj një zonjë që nxitoi për të kaluar nga njëra anë e rrugës tek tjetra. Zonja nuk ishte tek vijat e bardha, por mes makinave. Pas disa sekondash e shoh zonjën në tokë, përpara makinës së Ilda Bejlerit. Dua të theksoj se makina e Ildës nuk e preku zonjën, ajo u rrëzua në tokë pa e prekur makina. Ndoshta nga frika, nga hutimi, apo nga nxitimi, por pashë që makina nuk e preku dhe ajo ra vetë në tokë.
Menjëherë unë dhe një djalë tjetër kemi dal që ta ndihmojmë. Në momentin e parë që e pashë që ishte e mirë e pyeta pse u fut mes makinave. Më tha që po nxitonte për të shkuar tek nëna e saj, se e kishte vetëm dhe të sëmurë. Më tha që ishte nga Durrësi dhe nuk kishte njeri këtu. Menjëherë njoftuam policinë dhe ambulancën. Zonja në fjalë ishte e vetëdijshme dhe nuk kishte dëmtime”, shprehet ai për Bluetooth.
Më pas N.H shprehet se ka komunikuar edhe me moderatoren, e cila ka qëndruar aty për disa minuta. “Ilda ndaloi dhe po rrinte aty pranë. Edhe po të donte të ikte, nuk mundej pasi u bë trafik. Në atë moment u bë dhe një aksident tjetër, u përplasën tre automjete pak më tej. Kur erdhi policia ne dëshmitarët i thamë policit që zonja u rrëzua vetë dhe nuk u përplas nga makina. Kjo ishte pak a shumë ajo çfarë ndodhi.
Më pas u largova për në shtëpi dhe në mbrëmje pashë gjithçka që shkruhej në media, nuk janë të vërteta çfarë është thënë deri më tani. Thashë si unë e panë ngjarjen edhe të tjerë. Madje djali që e ndihmoi fillimisht zonjën së bashku me mua, i tha ‘Pse kalove atje? Duhet të shkoje tek vijat e bardha, duhet të jesh shembull edhe për brezin e ri’. Kjo është dinamika e asaj që unë pashë tek vendi i ngjarjes, gjithçka tjetër që qarkullon thashë, nuk është e vërtetë”, rrëfen ai për ‘Gazeta Shqiptare’.