Ky është “pirati” portugez që mori në ‘qafë’ Manchester Cityn

Ky është “pirati” portugez që mori në ‘qafë’ Manchester Cityn

Sport February 15, 2020 - 11:02
Një mal me dokumente në të cilat figurojnë disa prej mëkateve, fshehjeve, por edhe grabitjeve më të mëdha të botës së futbollit, duke nisur nga dhunimi i “Fair Play”-t financiar që fundosi dje Manchester Cityn

Në janar të vitit 2019, agjentët portugezë të “Policia Judiciaria” kanë arrestuar në Hungari hakerin më të frikshëm të botës së futbollit. Bëhet fjalë për 31-vjeçarin Rui Pinto. Ishte pikërisht ky i fundit njeriu që bëri publike për “Football Leaks” shumë sekrete që bënë bujë të madhe, një skandal i vërtetë që për muaj pushtoi faqet e mediave botërore, por mbi të gjitha futi në telashe shumë figura të botës së sportit dhe jo vetëm.

Një mal me dokumente në të cilat figurojnë disa prej mëkateve, fshehjeve, por edhe grabitjeve më të mëdha të botës së futbollit, duke nisur nga dhunimi i “Fair Play”-t financiar që fundosi dje Manchester Cityn, evazion fiskal, korrupsion, prona dhe para të padeklaruara, fshehje bilancesh, manipulim kontratash e deri te çështja e akuzave të përdhunimit e Cristiano Ronaldos

Image

Mendja pas skandalit “Football Leaks” ishte Rui Pinto, portugezi 31-vjeçar, i cili jetonte në Budapest, pasi kërkohej prej vitesh nga autoritetet e vendit të tij. Më 16 janar 2019 u arrestua në kryeqytetin hungarez, me urdhër të Interpolit, ndërsa 24 orë pas arrestimit u dënua me arrest shtëpie, me një byzylyk elektronik në kaviljet e tij, për të mos e menduar arratisjen. Madje, më tej, më 5 mars, një gjykatë në Budapest vendosi për ekstradimin e tij në Portugali, ku Rui Pinto nuk kërkonte kurrsesi që të kthehej: “Nëse kthehem në Portugali dhe më burgosin, nuk do të dal kurrë gjallë nga burgu”. Reagimi dhe kërkesa e tij kuptohet qartë, sepse fakti që ka shkelur në kallo shumë njerëz me influencë, por edhe të pushtetshëm e të çdo lloj kombësie, me të drejtë ngre frikën brenda piratit të kompjuterëve.

Mbi të gjitha, Rui Pinto futi në siklet të mëdha FIFAn e UEFA-n, falë edhe bashkëpunimit të tij të ngushtë me disa media shumë të pushtetshme në Evropë, të cilat nuk ngurruan që të publikonin dosjet e servirura nga specialisti portugez i kompjuterëve. Në vitin 2015, ai vendosi që të hapte faqen e tij “online”, “Football Leaks, ku gjendeshin qindra informacione të rezervuara në lidhje me futbollin botëror.

Dosja e parë i përkiste klubit holandez të Tuentes, që përmbante informacione sekrete për lidhjet mes kësaj skuadre dhe grupit “Doyen Sport”, grup investimi që kishte disa lojtarë në zotërim dhe kështu shkeleshin rregullat e FIFA-s. Për pasojë, pas hetimeve të nisura në Holandë, Tuente u përjashtua për 3 sezone nga Kupat e Europës. Por kundërpërgjigjja erdhi nga grupi “Doyen”, i cili akuzoi “Football Leaks” se kishte bërë shantazh, duke kërkuar 500 mijë euro, ndaj policia portugeze hapi hetim, ndërsa Pinto mohonte gjithçka. Në dhjetor të vitit 2016, “Football Leaks” u bashkua me gjermanen “Der Spiegel”, italianen “L’Espresso” dhe spanjollen “El Mundo”, duke krijuar kështu një rrjet gjigant që sillte në vëmendje, madje me shumë breshëri, çdo skandal në rang botëror.

Image

“Football Leaks” vazhdoi me publikimin e çmimit të vërtetë të Radamel Falkaos, i cili kaloi te francezët e Monakos për 43 milionë euro dhe jo për 60 milionë, siç u publikua dhe u certifikua në bilancet e klubit.

Me radhë pasuan shifrat dhe informacionet për transferimet e Gareth Bale e James Rodrigezit te Reali i Madridit; sekretet e Cristiano Ronaldos, Jose Murinjos, Lionel Messit etj., pjesë e 18.6 milionë dosjeve, të cilat ranë të gjitha në dorë të “Der Spiegel”-it dhe që nisën të publikoheshin prej vitit 2016 e në vazhdim. Më 2 nëntor 2018 shpërtheu skandali i shkeljeve të “Fair Play”-t financiar nga ana e Mançester Sitit dhe PSG-së, ndërsa i përfshirë dukej edhe presidenti i FIFA-s, Jani Infantino. FIFA e konsideroi një tentativë për të rrëzuar drejtuesit e rinj të institucionit botëror të futbollit, ndonëse sot e kësaj dite, asnjë prej dosjeve të tij nuk është përgënjeshtruar.

Por nga UEFA e FIFA e deri te klubet e lojtarët janë mjaftuar me deklaratën e përbashkët: “Është pirateri, nuk komentojmë”. Rui Pinto, një tifoz i Portos, ndonëse e kishte deklaruar edhe se pse kishte shumë simpati për Cristiano Ronaldon, nuk ngurroi që të nxjerrë në skenë edhe çështjen “Katrin Majorga”, modelja amerikane që akuzoi për përdhunim CR7-ën, evazionin fiskal të Murinhos, Messit apo akoma më shumë edhe disa “e-mail”-e që i shkaktuan problem klubit të Benfikës, në lidhje me trajtimin e të rinjve.

Të gjitha këto dokumente Rui Pinto arriti t’i bënte publike, por pikërisht për to, ai sot e kësaj dite vazhdon që të luftojë në sallat e gjyqit, pasi rrezikon deri në 30 vite burg, sipas ligjeve portugeze.