'Na falni italianë, por Kumbulla është shqiptar dhe krenar', mediumi i njohur shkruan për mbrojtësin

'Na falni italianë, por Kumbulla është shqiptar dhe krenar', mediumi i njohur shkruan për mbrojtësin

Sport February 13, 2020 - 17:59

Marash Kumbulla është një nga zbulimet e Serie A, teksa me paraqitjet e tij tek Hellas Verona, ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha evropiane.

Shumë media kanë filluar të shkruajnë për xhevahirin shqiptar, duke e vlerësuar atë në maksimum për atë që ka treguar deri në këtë fazë të sezonit.

Së fundmi ka qenë media “90min”, që i ka kushtuar një shkrim të veçantë mbrojtësit shqiptar. Në shkrimin e tyre për Kumbullën, e krahasojnë atë me legjendën e Milanit dhe atë të Italisë, Paolo Maldini, i cili për shumë futbollistë në kohët e sotme është një idhull.

“90min” shkruan se shqiptari është një mbrojtës agresiv dhe e lexon shumë mirë lojën e kundërshtarit dhe shikon përpara për të nisur një kundërsulm, sapo e rrëmben topin, transmeton "Panorama Sport". 

Gjithashtu 20-vjeçarin e quajnë si një “mur” në mbrojtje, teksa thuhet se shumë ekipe kërkojnë shërbimet e tij. Tregoi një paraqitje të mirë me Juventusin, duke e ndalur Ronaldon. Për Kumbullën në shkrimin e medias së njohur, thuhet se është shumë i mirë edhe në lojën në ajër, duke shfaqur rrezik edhe në zonën e kundërshtarit, pas goditjeve nga këndi.

Nuk mund të mos flitej edhe për origjinën e mbrojtësit, që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve. “Na falni italianë, por Kumbulla është shqiptar dhe krenar për këtë. I lindur në Itali, nga prindër shqiptarë, talenti kishte mundësinë të përfaqësonte Italinë ose Shqipërinë. Duke qenë se ai është krenar për origjinën e tij, Kumbulla zgjodhi Shqipërinë, me të cilët ka bërë edhe debutimin në ndeshjen me Moldavinë”, shkruan “90 min” për mbrojtësin shqiptar.